Tare: Milani një objektiv për këdo, jam gjysmë italian
Igli Tare është një nga emrat më të përfolur për të marrë postin e drejtorit sportiv te Milani, dhe vetë ish-drejtuesi i Lazios nuk e fsheh ambicien për një aventurë të re në një klub me emër të madh si kuqezinjtë. Aktualisht pa kontratë, Tare është ndër kandidatët kryesorë për këtë rol, edhe pse drejtuesit e Milanit ende nuk kanë marrë një vendim përfundimtar.
Në një intervistë për La Stampa, Tare u shpreh i qartë: “Milani është një objektiv për këdo. Të punosh për një klub historik dhe kaq të njohur do të ishte një nder. Gjithmonë kam dashur të përfaqësoj denjësisht vendin tim dhe njëkohësisht të jem shembull edhe për italianët. Jam gjysmë italian, kam punuar për gjysmën e jetës këtu dhe mbaj pasaportë italiane me krenari.”
Nga ana tjetër, CEO i Milanit, Giorgio Furlani, ka sqaruar se procesi i përzgjedhjes së një drejtori sportiv nuk është urgjent, por do të bëhet me kujdes: “Jemi duke vlerësuar nëse do të punësojmë një drejtor sportiv. Nuk është çështje urgjente, nuk duam të marrim dikë thjesht për të plotësuar një vend. Nëse shtojmë dikë, do të jetë personi i duhur. Aktualisht fokusi është të mbyllet mirë sezoni.”
KOHA JONË SONDAZH

