Të premten “akti i fundit” Serbi-Shqipëri, Duka: Presim 3 pikët në tavolinë
Kjo e premte mund të jetë vendimtare për fatet e kuqezinjve në kualifikimin e tyre historik, për në një vend si finalet e Europianit. Gjykata sportive e Lozanës, KAS, do të marrë në shqyrtim ankimimin e Shqipërisë dhe të Serbisë, kundër vendimit të komisionit të Disiplinës e të Apelit pranë UEFA-s i cili i atribuoi fitoren absurde Serbisë në takimin e 14 tetorit të vitit të shkuar. E çuditshme është se edhe Serbia, ndonëse mori 3 pikë në tavolinë ka ankimuar në KAS, si e pakënaqur nga vendimet e UEFA-s. Serbia u penalizua me tre pikë në klasifikim, mbi incidentet e ndodhura, por kuqezinjtë humbën tre pikët në tavolinë dhe nëse CAS vendos t’ua rikthejë, Shqipëria do të ngjitet në krye të grupit, me 10 pikë, duke lënë pas Portugalinë e Danimarkën. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duke duke u mbështetur edhe tek verdikti më i fundit i Disiplinës që për një ngjarje të ngjashme në takimin Mali i Zi-Rusi i dha tre pikët rusëve, shpreh besimin se KAS-i do ti japë të drejtën Shqipërisë
“ Kam besim se gjykata do të na japë të drejtë. Duke marrë shkas edhe nga vendimi në lidhje me ndeshjen Mali i Zi-Rusi, shpresoj që Shqipëria të marrë pikët,” – theksoi Duka. Të premten në Zvicër do të zhvillohet edhe akti përfundimtar i një betejë e cila vazhdon prej muajsh në kërkim të drejtësisë, me shpresën që Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, mos të tregohet e verbër përpara fakteve. Më pas numri 1 i futbollit në vend foli edhe rreth kampionatit aktual duke e cilësuar si më kompetitivin e viteve të fundit. “ Mendoj se është kampionati me garën më të fortë dhe me cilësinë më të lartë “
KOHA JONË SONDAZH

