Ten Hag: Ronaldo refuzoi të luante në minutat e fundit, është hera e dytë
Erik ten Hag ka folur në prag të super ndeshjes ndaj Chelsea-s, që do të luhet të shtunën pasdite. Strategu u ndal më shumë te përjashtimi i Cristiano Ronaldos, duke zbuluar se ai refuzoi që të zbriste në fushë në minutat e fundit.
“Po, është e vërtetë, Cristiano nuk pranoi të futej në fushë në minutat e fundit. Për këtë duhet të ketë pasoja, gjë e rëndësishme për mentalitetin dhe qëndrimin e grupit.
Nuk kam ndërmend ta tregoj çfarë biseduam me njëri-tjetrin, do të mbetet mes nesh. Megjithatë, unë mendoj se deklaratat e mia janë të qarta: Ronaldo mbetet një lojtar i rëndësishëm i Manchester United. Unë jam trajneri, jam përgjegjës për kulturën e ekipit.
Më duhet të vendos standarde vlerash. Është hera e dytë që ndodh një gjë e tillë, kështu që veprimi duhet shoqëruar me pasoja. Ai nuk do të jetë i pranishëm në ndeshjen ndaj Chelsea. Është një humbje për ekipin, por është e rëndësishme të ndërtohet mentaliteti i grupit”, tha trajneri i United.