Teuta mund Kastriotin dhe ruan kreun, fitojnë dhe Vllaznia e Kukësi (VIDEO)
Teuta do të vijojë që të qëndrojë në krye të renditjes edhe për këtë javë. Skuadra durrsake mori një fitore shumë të rëndësishme 1-2 në transfertën ndaj Kastriotit, me gola të Vilës dhe Bregut. “Djemtë e detit”, veç fitores së tyre, kanë gëzuar edhe për ndalimin e Laçit, që ngeci me Skënderbeun në shtëpi. Një duel që u mbyll 0-0, shumë i luftuar dhe me raste plot, por që nuk pati fitues.
Teuta kryesuese arriti ta zhbllokonte ndeshjen në fundin e pjesës së parë, kur Lorenco Vila bëri një lëvizje të bukur dhe me një gjuajtje të fortë e mposhti portierin Hidi. Me fillimin e pjesës së dytë Dejvi Bregu ndëshkoi krutanët, të cilët u kundërpërgjigjën me një gol të bukur të Emir Rezit. Gjithsesi deri në fund rezultati nuk do të ndryshonte më.
Vllaznia mori një fitore minimale 1-0 ndaj Bylisit. Gjithsesi shkodranët e kishin të qartë çfarë duhet të bëheshin dhe pas një goditjeje këndi Albion Avdijaj shënoi me kokë në portën e ballshiotëve, duke i dhënë tre pikët kuqebluve pas humbjes me Kukësin.
Apolonia matematikisht ka rënë në Kategorinë e Parë, pasi u mposht ditën e sotme në shtëpi nga Kukësi me rezultatin 0-3. Verilidorët e zgjidhën ndeshjen shpejt, duke shënuar me kapitenin Ibraimi fillimisht, ndërsa më pas Dragoshi dhe Taipi i mbyllën llogaritë në fraksionin e dytë të lojës.
KOHA JONË SONDAZH

