Teuta ndalet ndaj Vorës, miqtë braktisin fushën për disa minuta (VIDEO)
Kriza e Teutës në kampionat vijon, me durrsakët që regjistrojnë ndeshjen e tetë radhazi pa fitore. Bregdetarët u ndalën këtë herë në barazimin 1-1 ndaj Vorës, në takimin e vlefshëm për javën e 21-të të Superiores.
Sfida u zhvillua me tension dhe emocione, ndërsa Teuta ishte pranë një tjetër humbjeje. Vora kaloi në avantazh në pjesën e parë, kur Kasalla realizoi në minutën e 26-të, duke i dhënë epërsinë vendasve.
Në pjesën e dytë, loja mori një tjetër drejtim pas minutës së 86-të, kur Tabaku u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë Vorën me 10 lojtarë. Teuta përfitoi nga superioriteti numerik dhe u hodh e gjitha në sulm në kërkim të golit të barazimit.
Momenti më i diskutueshëm i ndeshjes erdhi në minutat shtesë, kur gjyqtari akordoi një penallti në favor të Teutës, vendim që u kundërshtua ashpër nga lojtarët e Vorës. Në shenjë proteste, vendasit u larguan për disa minuta nga fusha.
Pas rikthimit të lojës, Macolli u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke barazuar shifrat në 1-1 dhe duke shpëtuar Teutën nga humbja. Pas këtij barazimi, Teuta ngjitet në vendin e pestë të renditjes me 27 pikë, ndërsa Vora mban vendin e shtatë, me tre pikë më pak.

KOHA JONË SONDAZH

