Tirana me “laps në dorë”, Kalari: Jemi ekip për titullin kampion
Tirana mund të konsiderohet një nga katër skuadrat pretendente që doli e fituar nga java 30 e Kategorisë Superiore, pas Skënderbeut. Katër herë radhazi kampionët e vendit mundën Partizanin në Korçë 5-2 dhe morën kreun e klasifikimit. Por Tirana fitoi 2-1 me Vllazninë në kryeqytetet, duke kaluar të kuqtë në klasifikim. Tashmë në vend të tretë, bardheblutë ndodhen dy pikë pas Kukësit të vendit të dytë dhe tre pikë pas Skënderbeut që kryeson garën. Këtë javë Partizani përplaset me Kukësin, ndërsa Tirana mund të përfitojë sërish që të kalojë ndoshta edhe verilindorët pasi përballet me Elbasanin. Renaldo Kalari bën një analizë të situatës në të cilën gjenden 24 herë kampionët 6 javë përpara fundit të këtij sezoni. -“Kemi qenë gjithnjë në lojë edhe pse më parë nuk e kishim fatin në duart tona. Pikët janë aty dhe shpresojmë të ngjisim shkallët deri në fund për të mos e lëshuar më kreun,” – theksoi 30-vjeçari i Tiranës, i cili ka luajtur 20 ndeshje këtë sezon, 16 prej të cilave titullar. Ndaj Vllaznisë, Kalari u përdor si zëvendësues në fillimin e pjesës së dytë dhe loja e bardhebluve në fushë ndryshoi falë krosimeve të mbrojtësit të majtë. – “Në aspektin personal jam munduar të bëj maksimumin në stërvitje dhe të luaj çdo minutë që më jep trajneri. Jo vetëm unë por të gjithë duhet të japim maksimumin për të arritur objektivin tonë që është titulli,” – shprehet ai. Java e ardhshme i rezervon Tiranës përballjen me Elbasanin një kundërshtar që ka rezultuar i vështirë për t’u mundur gjatë këtij kampionati, por me pak shanse mbijetese. Bardheblutë kanë fituar në të tre ndeshjet ndaj këtij kundërshtari por në dy takime suksesi ka ardhur në sekondat e fundit. Pavarësisht renditjes së verdhebluve dhe ndryshimeve në skuadër gjatë kësaj periudhe, Kalari nuk e mendon fitoren të sigurtë. – “Nuk ka nënvlerësim pasi çdo skuadër që luan ndaj Tiranës mobilizohet shumë. Edhe për faktin që sfidat e tjera ndaj Elbasanit janë zgjidhur në limite tregon se nuk kemi luksin të nënvlerësojmë asnjë”. Pas ndeshjes me Elbasanin, në mesjavë Tirana do të luajë sfidën e kthimit të Kupës së Shqipërisë me Laçin, një kundërshtar i vështirë ndaj të cilit nuk ka fituar asnjë ndeshje këtë sezon. – “Nuk jemi në presion nga asnjë skuadër. Laçi ka treguar që ka lojtarë cilësorë. Do shkojmë në Laç për të fituar ose më mirë për tu kualifikuar,” – theksoi mbrojtësi bardheblu. Ndeshja e parë në Tiranë përfundoi 0-0, por Laçi mund të favirzohet në këtë takim nga faktori fushë. Tirana kërkon finalen, që të marrë një trofe nëse nuk arrin të shpallet kampion. Laçi e sheh si mundësinë e vetme për trofe kupën dhe ndoshta për ta pasur edhe më të lehtë pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Në fundjavë Laçi ndali Kukësin në barazim pa gola, jashtë fushës së vet dhe shihet si një ekip kërcënues për çdo ekip tjetër kundërshtar.
KOHA JONË SONDAZH

