
Tomas Strakosha vazhdon të marrë vlerësime për sezonin e shkëlqyer me AEK-un e Athinës. Gardiani i Kombëtares shqiptare është shpallur portieri më i mirë i kampionatit grek, por në horizont shfaqet një shqetësim për kuqezinjtë, pasi dëmtimi në dorë mund ta mbajë jashtë ndeshjeve të nëntorit. Portieri 31-vjeçar ishte një nga protagonistët kryesorë të suksesit të AEK-ut në sezonin e kaluar, ku skuadra arriti të fitonte titullin kampion në Greqi dhe siguroi një vend në Champions League.
Paraqitjet e tij u karakterizuan nga siguria mes shtyllave dhe ndërhyrjet vendimtare, duke u shpërblyer tashmë edhe me çmimin individual si portieri më i mirë i kampionatit. Pas marrjes së çmimit, Strakosha nuk e fshehu kënaqësinë, duke ia dedikuar këtë sukses edhe familjes dhe skuadrës.
“Është një çmim shumë i rëndësishëm për mua. Dua ta ndaj me familjen time, e cila më qëndron pranë në çdo moment. Kemi zhvilluar një sezon të shkëlqyer, me disiplinë, pasion dhe durim. Mendoj se ndeshja më e mirë ka qenë ajo kundër Anderlechtit”, u shpreh gardiani shqiptar.
Megjithatë, jo gjithçka është pozitive për Strakoshën. Pavarësisht se AEK-u ka siguruar pjesëmarrjen në Champions League, portieri kuqezi ende nuk ka arritur të debutojë në këtë kompeticion, për shkak të dëmtimit që ka pësuar në dorë. Sipas raportimeve të mediave greke, ai ka nisur stërvitjen, por mbetet në dyshim të fortë për ndeshjet e fundit të Shqipërisë në muajin nëntor.
