
Futbolli spanjoll është në zi pas ndarjes tragjike nga jeta të futbollistit të Tenerife-s, Jesús de Miguel. Në shenjë respekti dhe solidariteti për sulmuesin 30-vjeçar, Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka vendosur të pezullojë disa nga aktivitetet e planifikuara për ditën e martë, më 3 nëntor.
Vendimi prek ndeshjet e planifikuara për këtë ditë në kuadër të Kupës së Mbretit dhe Kupës së Mbretëreshës Iberdrola.
Konkretisht, janë shtyrë përballjet Anaitasuna-Alavés dhe Pamplona-Eibar, të vlefshme për raundet përkatëse të Kupës së Mbretit. Gjithashtu, nuk do të zhvillohen as ndeshjet e programuara për Kupën e Mbretëreshës.
Përveç aktiviteteve të kompeticioneve të kupës, është anuluar edhe prezantimi zyrtar në Almendralejo i ndeshjes së Kombëtares U-21 të Spanjës kundër Japonisë.
Federata Spanjolle ka bërë të ditur se kalendari i ri i kompeticioneve dhe oraret përfundimtare të ndeshjeve të shtyra do të publikohen gjatë ditëve në vijim. Përmes një komunikate zyrtare, RFEF ka shprehur dhimbjen për humbjen e futbollistit të Tenerife-s.
“Futbolli spanjoll vajton humbjen e Jesús de Miguel. E tronditur nga ky lajm i hidhur, Federata Spanjolle e Futbollit dëshiron të shprehë ngushëllimet më të thella për ndarjen e tij nga jeta, e ndodhur gjatë ditës së sotme”, thuhet në reagimin e federatës.
