Transferta bullgare, ndeshja e fundit për trajnerin Starova që synon ta mbyllë si… De Biazi
Prej katër vitesh, qershori ka rezultuar një muaj “i nxehtë” te Partizani, pasi në çdo prag fillimi pune për sezonin e ri, klubi u është nënshtruar ndryshimeve në kupolën drejtuesve. Ndryshimet kanë nisur çdo vit me emërimin e drejtorëve të rinj dhe më pas me trajnerin.
E njëjta situata është edhe për momentin te “demat” ndonëse era e ndryshimeve ka nisur më herët, por zyrtarizimi po stërzgjatet në afat kohor. Genc Tomori konsiderohet tashmë si ish-Drejtor i Përgjithshëm, pasi pas humbjes 3-1 me Botev Plovdivin dha dorëheqjen. Gjithsesi, fati i tij ishte mësuar më herët, pasi Luçiano Moxhi, i ardhur që në fillim të pranverës si këshilltar i presidentit Demi, detyrë parësore do të kishte atë të menaxhimit dhe ndërtimit të Partizanit të edicionit të ri.
“Panorama Sport” kohë më parë ka paralajmëruar se krahu i djathtë i Moxhit te Partizani do të jetë ish-drejtori sportiv i Parmës, Antonelo Preiti, i cili në sezonin e fundit rolin e drejtorit sportiv e ka ushtruar te klubi i Katanzaros në Lega Pro në Itali. Pjesë e ndryshimeve do të jetë edhe trajneri Sulejman Starova, i cili me shumë mundësi në transfertën bullgare i jep lamtumirën drejtimit të ekipit.
Edhe pse skuadra u mund në ndeshjen e parë në shtëpi ndaj Botev Plovdivit, të kuqtë do të udhëtojnë drejt Bullgarisë për të zhvilluar një ndeshje dinjitoze, ku fitorja mbetet synimi kryesor. Ndeshja e lamtumirës së Starovës me Partizanin mund të jetë një paralele e asaj që i ndodhi trajnerit të kombëtares, Xhani De Biazi, i cili u largua pasi fitoi ndaj Izraelit.
Për “demat” e kuq nuk ka pushim pas humbjes me bullgarët, madje pas 15 orësh kanë zbritur në fushën stërvitore. Ekipi ka kryer gjatë paradites së djeshme një seancë stërvitore në Elbasan, si dhe do të vijojnë të jenë të grumbulluar deri pas transfertës së Bullgarisë. Lojtarët që luajtën të enjten kanë kryer një seancë të lehtë, ndërsa pjesa tjetër e ekipit ka marrë ngarkesë të plotë./panoramasport/
KOHA JONË SONDAZH

