“Tronditet” Interi, dëmtohet sulmuesi Marcus Thuram

Interi ka marrë një lajm jo të mirë në një nga fazat më vendimtare të sezonit. Sulmuesi francez, Marcus Thuram, ka kryer këtë mëngjes ekzaminime mjekësore dhe instrumentale në Institutin Humanitas të Rozanos, ku është konstatuar një lodhje muskulore në muskujt aduktorë të kofshës së majtë.

Klubi ka njoftuar se gjendja e tij do të monitorohet ditë pas dite, por ajo që dihet tashmë është se Thuram nuk do të jetë i gatshëm për sfidën ndaj Bolognas këtë fundjavë.

Gjithsesi, mungesa më e rëndësishme mund të vijë në mesjavë, pasi aktivizimi i tij në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Italisë ndaj Milanit është në dyshim serioz.

Trajneri Simone Inzaghi pritet të mos rrezikojë, duke pasur parasysh kalendarin tepër të ngjeshur të Interit, që përfshin gjashtë ndeshje brenda pak më shumë se dy javësh.

Pas ndeshjes në transfertë ndaj Bolognas – thelbësore për garën për titullin – Interi do të përballet me Milanin më 23 prill (në një ndeshje ekskluzive në Mediaset), më pas ndaj Veronës dhe Romës në kampionat, dhe më në fund, me Barcelonën më 6 maj në “Camp Nou”, në një duel që vendos finalistin e Champions League.

Për këtë arsye, stafi mjekësor dhe teknik i zikaltërve do të vlerësojë me kujdes gjendjen e Thuram, duke mos dashur të rrezikojë përkeqësimin e dëmtimit në një moment ku çdo ndeshje është vendimtare.

 

SHKARKO APP