Udinese vendimtare për Pirlon, shfaqet “hija” e Igor Tudor
Andrea Pirlos me shumë mundësi nuk do të jetë trajneri i Juventusit në sezonin 2021-2022. Në Itali për këtë janë të bindur, sidomos pas disfatës me Beneventon, momenti i vërtetë i thyerjes së raportit me trajnerin në një sezon të trazuar. Tani puna është se ndarja mund të vijë edhe më herët. Pas barazimit në Firence vetë Pirlo i ka komunikuar drejtuesve synimin për të bërë një hap pas, nëse diçka e tillë do të konsiderohej e dobishme, edhe pse më pas të dyja palët ranë dakord për të marrë më tepër kohë.
Gjithsesi deklaratat e Pirlos të ngjashme me një dorëzim publik nuk i kanë pëlqyer hierarkisë drejtuese juventine. Në këtë aspekt, impenjimi me Udinesen kthehet në vendimtar, pasi një tjetër hap fals që do të komplikonte më tej ecurinë drejt Championsit, në mënyrë të paevitueshme sipas mediave italiane do të sjellë largimin e trajnerit. Do të largohet Pirlo dhe për katër ndeshjet e ardhshme skuadra do të drejtohet nga Igor Tudor.
Kalendari nuk është ndër më të favorshmit, Udinese, Milan, Sassuolo, Inter dhe Bologna, por jo edhe aq i frikshëm nëse krahasohet me rivalët e tjerë në garën për një vend në Champions. Vendi i katërt është objektivi minimal, pasi një renditje më e keqe do të konsiderohej një falimentim katastrofik, dhe për këtë arsye nga Friuli duhet marrë një rezultat pozitiv. Nëse nuk ndodh, atëherë largimi i Pirlos është i pashmangshëm, dhe zëvendësi i përkohshëm do të jetë Igor Tudor.
KOHA JONË SONDAZH

