UEFA merr vendimin, 1 minutë heshtje në të gjitha ndeshjet deri më 1 maj
UEFA ka njoftuar se para fillimit të gjysmëfinaleve të UEFA Youth League dhe UEFA Women’s Champions League këtë javë, si dhe para ndeshjeve gjysmëfinale të Champions League, Europa League dhe Conference League (nga 29 prilli deri më 1 maj), do të mbahet një minutë heshtje në nderim të Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë të hënën e kaluar.
Në një komunikatë zyrtare, organi më i lartë i futbollit evropian ka theksuar rëndësinë e figurës së Papa Françeskut në këto kohë sfiduese.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, i ka kushtuar atij një mesazh prekës: “Papa Françesku ishte një dritë shprese për njerëzimin, veçanërisht në këto kohë lufte dhe vështirësish. Tani bota mbetet pa atë zë të fuqishëm e të palodhur që gjithmonë u ngrit në mbrojtje të të varfërve, të përulurve dhe të pambrojturve – për të kërkuar respekt, mikpritje dhe barazi, dhe për të kërkuar paqen që gjithmonë na është dukur e largët, por që zemra e njerëzimit gjithmonë e ka dëshiruar.”
Ky gjest solemn do të shoqërojë momentet më të rëndësishme të futbollit evropian të kësaj jave, duke nderuar trashëgiminë shpirtërore dhe humane të Atit të Shenjtë.
KOHA JONË SONDAZH

