
Kombëtarja shqiptare e vajzave ka mësuar kundërshtaret për edicionin e ri të UEFA Women’s Nations League 2027. Pas shortit të hedhur sot në Nyon të Zvicrës, Shqipëria është pozicionuar në grupin B1, ku do të përballet me Serbinë, Belgjikën dhe Rumaninë.
Faza e ligës do të zhvillohet me sistem vajtje-ardhje, ku çdo skuadër do të luajë nga një ndeshje në shtëpi dhe një në transfertë ndaj secilit prej kundërshtarëve të grupit.
Ndeshjet e fazës së grupeve do të zhvillohen në tri dritare ndërkombëtare gjatë vitit 2027. Dy ndeshjet e para janë programuar nga 23 shkurti deri më 6 mars, dy takimet e radhës nga 13 deri më 24 prill, ndërsa dy sfidat e fundit do të luhen nga 7 deri më 15 qershor.
Si funksionon kompeticioni:
Në Ligën B marrin pjesë 16 kombëtare, të ndara në katër grupe me nga katër skuadra. Fitueset e katër grupeve sigurojnë ngjitjen në Ligën A për fazën kualifikuese të Kampionatit Europian 2029.
Skuadrat që renditen në vendin e dytë në grupet e Ligës B do të luajnë në tetor 2027 ndeshje vajtje-ardhje me skuadrat që përfundojnë në vendin e tretë në grupet e Ligës A. Fitueset e këtyre përballjeve do të luajnë në Ligën A, ndërsa skuadrat e eliminuara do të mbeten në Ligën B.
Edhe skuadrat e renditura në vendin e tretë në Ligën B do të kenë mundësinë të ruajnë kategorinë përmes ndeshjeve të play-off-it. Dy skuadrat me renditjen më të mirë do të përballen me dy skuadrat e renditura më mirë në vendin e dytë në Ligën C. Fitueset do të luajnë në Ligën B, ndërsa humbëset do të zbresin në Ligën C. Dy skuadrat e tjera të vendit të tretë dhe katër skuadrat e renditura në vendin e fundit do të bien direkt në Ligën C.
Kalendari i UEFA Women’s Nations League 2027
Faza e ligës:
23 shkurt – 6 mars 2027: Ndeshjet 1 dhe 2
13 – 24 prill 2027: Ndeshjet 3 dhe 4
7 – 15 qershor 2027: Ndeshjet 5 dhe 6
Ndeshjet e play-off-it për ngjitje dhe rënie do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje nga 4 deri më 12 tetor 2027, ndërsa shorti për këto përballje është parashikuar më 18 qershor 2027.
