United planifikon ndërtimin e një super stadiumi të ri deri në vitin 2030
Manchester United ka në plan t’u dhurojë tifozëve të vet një stadium të ri modern, që pritet të ndërtohet pranë Old Traffordit, shtëpisë historike të “djajve të kuq”.
Sipas raportimeve të “Daily Mail”, klubi është aktualisht në negociata me disa pronarë privatë për blerjen e tokave të nevojshme, me qëllim që projekti të mund të nisë sa më shpejt. Synimi është që stadiumi të jetë gati në vitin 2030, dhe struktura e tij do të jetë kaq madhështore sa do të shihet deri në 40 kilometra larg.
Megjithatë, projekti nuk është pa pengesa. Një pjesë e truallit ku pritet të ndërtohet impianti është në pronësi të një miliarderi marsiljez, i cili ka lidhje të ngushta me qeverinë saudite – një fakt që po e vështirëson procesin e blerjes.
Klubi, i drejtuar nga Sir Jim Ratcliffe, shpreson të arrijë një marrëveshje në muajt e ardhshëm në mënyrë që punimet të nisin në kohë.
Projekti ambicioz është besuar në duart e Lord Norman Foster, një nga arkitektët më të famshëm britanikë, i njohur për projektet futuriste dhe inovative.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, Manchester United do të ketë një nga stadiumet më spektakolarë në botë, simbol i një epoke të re për klubin legjendar anglez.
KOHA JONË SONDAZH

