United triumfon ndaj Liverpoolit dhe zhyt në krizë ekipin e Slot
Vijon momenti negativ i Liverpool-it. “The Reds” pësuan një tjetër humbje, këtë herë në “Anfield”, me rezultatin 2-1 ndaj Manchester United, në javën e 8-të të Premier League. Kjo ishte humbja e tretë radhazi në kampionat (dhe e katërta duke përfshirë edhe dështimin në Champions League), duke thelluar krizën e skuadrës së Arne Slot.
Takimi nisi menjëherë me emocione, pasi Mbeumo kaloi miqtë në avantazh që në minutën e 2-të pas një asisti nga Amad Diallo. Liverpool reagoi, por pa fat: Gakpo goditi shtyllën në minutën e 21-të, ndërsa Bruno Fernandes bëri të njëjtën gjë për United pak më vonë.
Në pjesën e dytë, sërish Gakpo u ndal nga shtylla, por më pas arriti të barazojë në minutën e 78-të pas një pasimi perfekt nga Federico Chiesa. Kur dukej se ndeshja do të mbyllej në barazim, Harry Maguire shënoi golin e fitores për Manchester United në minutën e 84-të me një goditje me kokë, pas një asisti fantastik të Bruno Fernandes.
Në minutën e 87-të, Gakpo pati mundësinë të rikthente barazimin, por gaboi përballë portës bosh, duke vulosur kështu fitoren e Red Devils, të cilët morën tri pikë të arta dhe fituan në “Anfield” për herë të parë që nga viti 2016.
KOHA JONË SONDAZH

