Vendimi final Serbi-Shqipëri, Gianni de Biasi drejt Zvicrës për tre pikët
Trajneri i kombëtares sonë, Gianni de Biasi është nisur sot për në Zvicër, ku të premten do të bëhet gjyqi për ndeshjen Serbi-Shqipëri. Ndeshja eliminatore e Europianit “Francë 2016”, mes Serbisë dhe Shqipërisë, që u zhvillua më 14 tetor 2014, u ndërpre në 41’ kur rezultati ishte i bardhë 0-0, për shkak të incidenteve dhe hyrjes së huliganëve në fushë. Por UEFA, me dy komisionet e saj, Disiplina e Apeli, më vonë ia dha 0-3 rezultatin në tavolinë Serbisë. Shqipëria e ankimoi çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, CAS, që ndodhet në Lozanë dhe është caktuar data 17 prill, për vendimin dhe fatet e kësaj ndeshjeje. Çdo vendim që do të japë CAS, do të mbetet në fuqi dhe i pandryshueshëm. Edhe Serbia e ka ankimuar çështjen dhe pret që rezultati të mos ndryshojë, por nga ana tjerr kërkon t’i kthehet tre pikëshi i hequr për shkak të incidenteve. Trajneri Gianni de Biasi dhe kuqezinjtë kanë shpresa të mëdha t’iu rikthehet trepikëshi nga CAS, institucion që nuk ka lidhje me UEFA-n, ndaj së cilës janë ngritur dyshime për njëanshmëri, sepse vetëm pak kohë më parë ndodhi një incident në Podgoricë, në ndeshjen Mali i Zi-Rusi. UEFA, pasi edhe kjo ndeshje u ndërpre, iu dha në tavolinë 0-3 rusëve nga UEFA, sepse tifozët malazesë hodhën disa objekte në fushë. Nëse Shqipëria merr të premten tre pikëshin, do të ngjitet në krye të grupit me 10 pikë, duke lënë pas Portugalinë, që ka 9 pikë. Kuqezinjtë janë e vetmja skuadër e grupit tonë, pa asnjë humbje deri tani në fushë, si dhe e vetmja skuadër që ka mundur deri tani kryesuesit e Portugalisë së Cristiano Ronaldo-s.
KOHA JONË SONDAZH

