Vendimi i Etikës, reagon Skënderbeu: Akt i paprecedentë
Menjëherë pas vendimit të Etikes, ekipi korçar ka bërë publike një komunikatë si reagim për heqjen e titullit. Në komunikatën zyrtare thuhet se vendimi do të ankimohet në CAS.
Reagimi i Skënderbeut
Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’ bën me dije tifozerinë korçare dhe opinionin sportiv se, menjëherë pas vendimmarrjes së Komisionit të Etikës të FSHF, është kërkuar zyrtarisht argumentimi i vendimit, si hapi procedurial paraprak për ankimimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS-TAS).
Vendimi i ditës së sotme nga ky pseudo-organ juridik është një akt i paprecedentë, i denjë për katedrat e universiteteve të drejtësisë. Vetëm një organ i FSHF mund të transformonte një vendim administrativ në një vendim disiplinor, pa pasur qoftë edhe një provë të vetme të drejtpërdrejtë apo indirekte mbi të akuzuarin. Vetëm një organ i FSHF mund të procedonte ndaj një subjekti pa i komunikuar atij akuzën, provat mbi te cilat ajo mbështetej apo subjektin akuzues. Vetëm Komisioni i Etikës i Federates Shqiptare të Krimit në Sportin e Futbollit mund të jepte një vendim ku vërtetësia e fakteve nuk ka asnjë relevancë.
Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’ siguron tifozerinë Korçare se ky cenim dhe kërcënim që na është bërë sot nga ana e Komisionit të Etikes, veçanërisht me heqjen e një titulli kampion të cilën vetë UEFA e ka konsideruar më se të merituar, do të ankimohet në çdo germë të tij, pasi jemi të sigurt në pafajësinë tonë të pakundërshtueshme.
Falenderojmë sportdashësit dhe komunitetin të cilin e kemi përfaqësuar denjësisht gjatë kësaj dekade për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar. Të sigurt, vazhdojmë përpara për të rishkruar çdo vit historinë e futbollit Shqiptar!
KOHA JONË SONDAZH

