Vinicius rrezikon dy vite pezullim, FIFA nis hetimin
Sulmuesi brazilian i Real Madridit, Vinicius Junior, ndodhet përballë një situate të vështirë, pasi FIFA ka nisur një hetim ndaj tij për një çështje të ndjeshme që mund të sjellë pasoja të rënda në karrierën e tij.
Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, lojtari 24-vjeçar akuzohet për konflikt interesi, pasi dyshohet se ka në pronësi disa klube profesioniste futbolli. Ky veprim përbën shkelje të rregullave të FIFA-s dhe, nëse akuzat vërtetohen, Vinicius mund të përballet me një pezullim deri në dy vite nga futbolli aktiv.
Një dënim i tillë do të ishte goditje e madhe për brazilianin, i cili është në kulmin e karrierës së tij dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të Real Madridit. Që nga transferimi i tij në vitin 2018, Vinicius ka zhvilluar 311 ndeshje me “Los Blancos”, duke shënuar 105 gola dhe duke qenë shpesh vendimtar në ndeshje të mëdha.
Hetimet janë ende në fazën fillestare, dhe pritet që në ditët në vijim të ketë më shumë informacion rreth çështjes që mund të ndikojë ndjeshëm në të ardhmen e yllit brazilian.
KOHA JONË SONDAZH

