Vllaznia e nis me fitore spektakolare ndaj kampionëve të Egnatias
Vllaznia e nis në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin e ri futbollistik, duke mposhtur me rezultatin 2-0 skuadrën kampione në fuqi, Egnatian, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Me këtë fitore, kuqeblutë dërgojnë një mesazh të qartë se do të jenë sërish pretendentë për kreun.
Shkodranët e zhbllokuan ndeshjen herët, në minutën e 19-të, kur pas një goditjeje nga këndi, Gurishta goditi saktë me kokë në shtyllën e dytë, duke mposhtur portierin kundërshtar. Në minutën e 34-t, pas ndërhyrjes së VAR-it, u akordua një penallti për Vllazninë, por Balaj nuk arriti ta shndërrojë në gol, duke humbur shansin për të dyfishuar.
Pjesa e dytë nisi sërish me dominim të vendasve. Në minutat e para pas një goditjeje dënimi, Bajrami përfitoi nga hapësirat në mbrojtjen e miqve dhe realizoi golin e dytë, duke çuar në delir tifozët në tribuna. Situata u vështirësua edhe më shumë për Egnatian pas daljes me karton të kuq të Votlais, i cili mori të verdhën e dytë.
Edhe pse Vllaznia pati raste të tjera për të thelluar rezultatin, sfida u mbyll 2-0, një fitore e merituar që i jep skuadrës shkodrane tri pikët e para dhe një nisje perfekte në kampionat.
KOHA JONË SONDAZH

