Vllaznia fiton klasiken ndaj Tiranës, Elbasani mund Bylisin
Vllaznia vazhdon marshimin në krye të renditjes së Kategorisë Superiore. Shkodranët triumfuan 3-1 ndaj Tiranës në “klasiken” e futbollit shqiptar, duke regjistruar suksesin e katërt radhazi në kampionat.
Tirana e nisi më mirë takimin në “Loro Boriçi”, duke krijuar disa raste dhe duke kaluar në avantazh me Tabekun, pas një goditjeje të devijuar. Megjithatë, reagimi i Vllaznisë ishte i menjëhershëm: brenda vetëm pesë minutash, skuadra e Thomas Brdaric përmbysi gjithçka me golat e Jagos dhe Balajt.
Në pjesën e dytë, kuqeblutë administruan me kujdes avantazhin, edhe pse mbetën me 10 lojtarë pas përjashtimit të Kuros me karton të kuq. Në momentin më të mirë të Tiranës, një gabim i Valerianos shkaktoi penallti për Vllazninë, të cilën Kastrati e ktheu në gol për rezultatin përfundimtar 3-1.
Në “Elbasan Arena”, skuadra vendase fitoi 2-1 ndaj Bylisit, në një ndeshje të mbushur me emocione dhe ndërhyrje të VAR-it.
Gjyqtar i takimit ishte Dorjan Maletaj, ndërsa në VAR ndodhej Eldorjan Hamiti.
Ndeshja mori kthesë në minutën e 25-të, kur Bruno i Bylisit u ndëshkua me karton të kuq pas rishikimit të episodit ndaj Tsage. Nga goditja e dënimit që pasoi, Diallo realizoi një gol të bukur, ndërsa më pas shtoi edhe të dytin nga pika e bardhë, pas një faulli të Përndrecës në zonë.
Në pjesën e dytë, Bylisi u përpoq të reagonte dhe ngushtoi diferencën me kapitenin Marku, që shënoi me kokë në minutën e 50-të. Por shpresat e ballshiotëve u shuan në fund, kur edhe Elbasani mbeti me 10 lojtarë pas përjashtimit të Abas, pas një tjetër ndërhyrjeje të verifikuar nga VAR-i.
KOHA JONË SONDAZH

