Yildiz ëndërron një mbrëmje “alla Del Piero”, 30 vite më pas dhe ndaj Dortmundit
Goli dhe mbi të gjitha paraqitja e tij kundër Interit konfirmuan se talenti turk, Kenan Yildiz në vetëm 20 vjeç, është gati të bëhet lideri i Juventusit. Trajneri Igor Tudor e përshkroi me fjalë të thjeshta: “Ai i bën të gjitha gjërat mirë.”
Dhe pamjet e golit të shënuar të shtunën nuk lënë vend për dyshime: kontroll orientues, prekje e saktë dhe një e djathtë e fortë, një gol prej kampioni. Ishte goli i tij i dhjetë në Serie A me Juventusin, i realizuar me fanellën me numrin 10, numër që gjithmonë sjell krahasime të mëdha. “Ai luan futboll, pastaj jeni ju që bëni krahasimet,” tha Tudor.
Por krahasimet vijnë vetvetiu. Si një vit më parë, më 17 shtator në Champions League kundër PSV-së, kur Yildiz shënoi një gol “alla Del Piero” dhe festoi me gjuhën jashtë, një homazh i qartë për idhullin. “Jam shumë i lumtur për golin tim të parë dhe për mënyrën si e shënova. Për këtë festova me atë gjest,” deklaroi në atë kohë.
Kur rikthehet Champions, rikthehen edhe kujtimet. Juventus tani sfidon Borussia Dortmundin dhe mendja të shkon menjëherë tek golat historikë, nga Platini te Del Piero. “Platini ka qenë gjithmonë modeli im,” thoshte Del Piero.
Sot, 30 vite më vonë, historia përsëritet: tre herë dhjeta, nga Platini te Del Piero e deri te Yildiz. Sepse në Juventus, kush e mban mbi shpinë fanellën me numrin 10, nuk mund t’i shpëtojë fatit të tij. /Koha Jonë/

KOHA JONË SONDAZH

