Zbuloi futbollistët e ftuar për ndeshjen kundër Shqipërisë, Jan Urban: Duel i vështirë, ekipi i Sylvinhos nuk pëson gola
Trajneri i kombëtares polake të futbollit, Jan Urban zbardhi listën me 25 futbollistët e ftuar për ndeshjen kundër Shqipërisë, e cila vlen për play-off-in e Kupës së Botës 2026 dhe luhet më 26 mars në Varshavë.
63-vjeçari foli për mediet në Poloni duke thënë se sfida kundër Shqipërisë do jetë jashtëzakonisht e vështirë. “E kemi analizuar Shqipërinë dhe kemi njohuri të shumta për futbollistët e saj. Duhet theksuar se bëhet fjalë për një ekip shumë të mirë dhe me stabilitet.
Trajneri Sylvinho është në krye të skuadrës për tre vite. Për më tepër, ata kanë arritur të fitojnë një grup kualifikues ndaj Polonisë dhe Republikës së Çekisë, si dhe kanë regjistruar një fitore në udhëtim ndaj Serbisë”, deklaroi Urban.
Ai ka folur edhe për stilin e lojës së Shqipërisë, duke e përshkruar si të organizuar dhe të disiplinuar në aspektin mbrojtës. “Shqipëria ka futbollistë cilësorë që aktivizohen në ekipe të mira. Ata luajnë me një model të ngjashëm me futbollin italian. Mbrohen mirë dhe pësojnë pak gola. Ndoshta nuk shënojnë shumë, pasi janë të përkushtuar në aspektin mbrojtës. Na pret një sfidë jashtëzakonisht e vështirë. Nuk mund ta nënvlerësojmë kundërshtarin apo të mendojmë se fitorja është e sigurt. Do të jetë një përballje shumë e fortë”, u shpreh trajneri i Polonisë.
KOHA JONË SONDAZH

