Shqipëria më e ”vakëta” në pyetjet për facebook
Me qëllim luftën ndaj krimit të organizuar, krimeve kompjuterike apo terrorizmit, rrjeti social facebook i jep të dhëna të përdoruesve të tij agjencive ligjzbatuese të shteteve, në rastet kur ndaj këtyre përdoruesve kanë nisur hetime penale.
“Facebook Transparency” publikon prej vitit 2013 totalin e kërkesave të dërguara nga qeveritë për të dhëna nga llogaritë e individëve të caktuar në rrjet, mes të cilave edhe ato të qeverisë shqiptare. Sipas raporteve, në periudhën 2013-2019, autoritetet shqiptare kanë dërguar një total prej 156 kërkesash drejt facebook.
Numri më i lartë i kërkesave i përket vitit 2016 me 36 të tilla, ndërsa gjatë vitit 2019 në adresë të rrjetit gjigand social kanë mbërritur vetëm 30 kërkesa nga Shqipëria. Interesi i organeve ligjzbatuese shqiptare për informacion nga facebook, për llogari të hetimeve penale, është thuajse i papërfillshëm në krahasim me vendet fqinje, apo rajonin.