Wikipedia hedh në gjyq NSA-në për mbikëqyrjen masive në internet
Fondacioni Wikimedia, organizata jofitimprurëse e cila ka nën zotërim Wikipedia-n, ka paraqitur një padi kundër Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA) dhe Departamentit të Drejtësisë (DOJ), duke sfiduar kështu programet masive të mbikëqyrjes së qeverisë amerikane.
Nismës së kësaj organizate do t’i bashkohen edhe tetë organizata të tjera, dhe do të përfaqësohet nga Unioni Amerikan i Lirive Civile (ACLU). Fondacioni Wikimedia e ka bërë këtë padi në mënyrë që të ndalojë programin masiv të mbikëqyrjes, duke mbrojtur kështu të drejtat e përdoruesve në të gjithë botën.
Duke përdorur teknika mbikëqyrëse, NSA arrinte të ndërhynte në komunikimin virtual përmes kabllove të kapacitetit të lartë dhe routerave përmes të cilëve Wikimedia lidhte lexuesit dhe kontribuuesit e Wikipedia-s. Kjo metodë e mbikëqyrjes është autorizuar në Amerikë për të monitoruar vetëm personat që nuk kanë nënshtetësi amerikane. Megjithatë, siç Wikimedia thekson, mbikëqyrja masive në rrjetet “backbone”(rrjetet kyçe të internetit), është një kërcënim ndaj lirisë intelektuale dhe shpirtit të informacionit, dy forca që mbajnë gjallë fondacionin Wikimedia.
Sipas këtij fondacioni, praktikat e mbikëqyrjes së NSA-së shkelin Amendamentet e Parë dhe të Katërt të Kushtetutës Amerikane, të cilat mbrojnë lirinë e fjalës dhe konfiskimet dhe kërkimet e paarsyeshme. Praktikat e agjencisë së spiunimit, të zbuluara fillimisht nga ish-kontraktuesi i NSA-së, Edward Snowden, shkelin gjithashtu Nenin III të Kushtetutës, i cili thekson autoritetin e gjykatave amerikane.