Dëbora zbardh Parkun Natyror Korab-Koritnik,destinacioni me i vizituar
Reshjet e para të dëborës në ditët e para të tetorit kanë mbuluar Parkun Natyror Korab-Koritnik, duke krijuar një peizazh mahnitës dhe një ftesë të fortë për adhuruesit e natyrës, ngjitjeve në mal dhe sporteve dimërore.
Ky park, i njohur për pistat e tij natyrore të skijimit, po tërheq çdo vit më shumë vizitorë që kërkojnë aventura në natyrë dhe argëtim aktiv. Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Kukës, Lefter Gjana, theksoi për ATSH-në se reshjet e dëborës kanë rikthyer bukurinë e parkut dhe parashikoi një sezon turistik të gjallë gjatë vjeshtës dhe dimrit.
“Që nga janari deri në fund të shtatorit të këtij viti, Parku Korab-Koritnik është vizituar nga 27,392 turistë, nga të cilët 15,860 vendas dhe 11,532 të huaj,” tha Gjana. Ai shtoi se vetëm gjatë muajit shtator, numri i vizitorëve ishte 2,540, duke treguar një rritje të vazhdueshme të interesit për këtë destinacion natyror.
Gjana i bëri apel turistëve që të jenë të kujdesshëm gjatë këtyre ditëve, veçanërisht në zonat malore ku shtigjet mund të jenë të bllokuara dhe moti i mjegullt, duke sugjeruar marrjen e informacionit të detajuar nga Administrata e Zonave të Mbrojtura Kukës për të shmangur aksidentet.
Parku Natyror Korab-Koritnik përfshin një territor të gjerë që shtrihet nga 400 metra mbi nivelin e detit deri në majën e Gjallicës, në 2,489 metra, duke ofruar panoramë spektakolare dhe peizazhe natyrore të jashtëzakonshme. Gjatë ngjitjes, vizitorët mund të zbulojnë edhe vende të veçanta natyrore si “Gryka e Vanave”, ujëvara e Beles dhe liqeni i Kallabakut, të cilat i shtojnë vlerë eksperiencës së tyre.
Ky park është padyshim një perlë e rajonit të Kukësit dhe një destinacion i rekomanduar për të gjithë ata që duan të lidhin aventurën me natyrën dhe kulturën lokale.
KOHA JONË SONDAZH

