Mbi 6 mijë vizitorë dhe biologë në Muzeun Natyror të Divjakës
Parku kombetarë Divjake-Karavasta mbetet një destinacion i preferuar për vizitorët vendas dhe të huaj, të cilët nuk ikin pa vizituar koleksionin unik të fluturave dhe specieve të tjera të rralla të ekspozuara në Muzeun Natyror.
Ky muze, i vetëm në llojin e tij në Shqipëri, ofron një eksperiencë magjike në botën e fluturave, insekteve, molusqeve dhe specieve të rralla që jetojnë në këtë zonë të pasur natyrore.
Altin Hila, krijuesi i muzeut dhe administrator i guidës turistike Divjakë-Karavasta, rrëfeu se nga janari deri në fund të shtatorit, muzeu ka pritur rreth 6,700 vizitorë, përfshirë nxënës, studentë, turistë vendas dhe biologë të huaj të pasionuar pas natyrës. Ai shtoi se koleksioni pasurohet vazhdimisht me specie të reja dhe të rralla.
“Çdo vit, përveç vizitave në park, biologë nga vende të ndryshme ndalen në muze për të mësuar më shumë rreth specieve të koleksionit”- tha Hila, duke theksuar rëndësinë e muzeut për edukimin dhe studimin shkencor.
Divjakë-Karavasta është parku me numrin më të madh të specieve në Shqipëri. Në koleksionin e Hila ndodhen rreth 520 lloje fluturash ditore dhe nate, pilivesa dhe krahëkërcorë, të gjitha prej tyre specifike të zonës, që përbëjnë rreth 80% të specieve kombëtare.
Një shqetësim i madh për Hila mbetet zhdukja gradualisht alarmante e specieve natyrore. “Sot në natyrë gjenden vetëm 5-6 specie fluturash ditore nga 125 që kam në koleksion. Kjo është një kambanë alarmi për ekosistemin tonë,” paralajmëroi ai.
Për më tepër, Hila kërkon me insistim një hapësirë më të madhe për muzeun, pasi ambienti aktual është i vogël dhe nuk lejon ekspozimin e shumicës së materialeve të konservuara. Ai ka dërguar kërkesa të vazhdueshme ndaj autoriteteve vendore dhe qendrore për ndërtimin e një ambienti dinjitoz që do të nderojë jo vetëm Divjakën dhe Karavastën, por të gjithë Shqipërinë, duke e konsideruar muzeun një pasuri kombëtare dhe një simbol të trashëgimisë natyrore.
Në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta jetojnë rreth 90% e specieve kombëtare të vendit. Ndër speciet më të veçanta të ekspozuara në muze është flutura monarku afrikan (Danaus chrysippus), që migron nga Afrika dhe është bërë një atraksion dhe simbol i zonës, së bashku me pelikanin kaçurrel dhe flamingot.
Zona e mbrojtur përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore, duke strehur përqendrimin më të lartë të shpendëve ujore në Shqipëri — rreth 51,000 individë dhe afërsisht 500 çifte folenizues.
Gjithashtu, në zonë janë identifikuar 89 specie të ndryshme të molusqeve, insekteve, amfibëve, zvarranikëve, zogjve dhe gjitarëve, të cilat konsiderohen si të kërcënuara në nivel kombëtar. Duhet një hapësirë më e madhe
KOHA JONË SONDAZH

