Gjergj Luca: E nis mbarë sezonin e peshkimit “Rozafa”, mbretëresha shqiptare e Mesdheut
“Ishalla kemi fat”, kështu e nisi udhëtimin në këtë fillim sezoni të peshkimit, mbrëmjen e 7 gusht 2024 nga Durrësi, Gjergj Luca, në bordin e anijes Rozafa, duke premtuar se do të shihemi sot më 8 gusht, se si ka shkuar peshkimi.
E nisi raportimin nga perëndimi shqiptar, për ta finalizuar me lindjen në ujërat e Mesdheut.
Ai tregoi nga bordi i Rozafës, lindjen e diellin dhe bujarinë e detit, tregoi me zë dhe figurë, se lutja e tij dhe atyre që ai u kërkonte të luteshin për një sezon të mbarë, se shpirti i detit kishte dëgjuar dhe rrjetat ishin plot e përplot. Tregoi gjithashtu, se si ishte shpërblyer mundi dhe përkushtimi i kësaj armate që shërbejnë në anijen Rozafa, që krenaria shqiptare e peshkimit të jetë e denjë në sfidat Mesdhetare.
“Mesdheu tashmë ka mbretëreshën e tij të peshkimit, mbretëreshë shqiptare që me flotën dhe me peshkatarët e saj nderon jo vetëm industrinë por edhe vetë Shqipërinë. Ju përshëndes miq nga mesi i detit ku edhe peshqit na njohin e na afrohen vetë!” shkruan Luca në rrjetet sociale.
Një nisje e mbarë e sezonit të peshkimit të Rozafës, nuk është vetëm një fitore e Lucës dhe kompanisë që ai drejton, por e ekonomisë shqiptare, e forcës dhe besimit që përfaqëson, kapaciteteve që ajo ka në sfida të tilla.
Albert Vataj