Gjergj Luca: Kristi, i riu hekurkthyes, një model që duhet promovuar dhe për të cilin kemi nevojë

Nga Albert Vataj

Sipërmarrësi Gjergj Luca, njeriu i punës, i këmbënguljes dhe i besimit se zhvillimi fillon nga dinjiteti i punës, në daljen e tij publike të radhës përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, ka zgjedhur të promovojë jo një figurë të zhurmshme, jo një sukses të lehtë apo të stisur, por një djalë të ri që ka zgjedhur një profesion të vështirë, të ndershëm dhe thellësisht themelor për shoqërinë, hekurkthyesin.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kristi, vetëm 18 vjeç, përfaqëson një zgjedhje që sot tingëllon pothuajse si akt rezistence morale, të punosh, të fitosh me djersë, të ndërtosh jetën mbi vlerën e përditshme të punës. Në një kohë kur shoqëria shqiptare shpesh i glorifikon rrugët e shkurtra drejt pasurimit, dukjen pa përmbajtje, famën pa meritë dhe suksesin pa mund, Kristi vjen si një kundërmodel i heshtur, por i fortë.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Kristi është jo vetëm hekurkthyes, por edhe një djalë i hekurt në punë e në karakter. 18 vjeç dhe punon e fiton, i jep vlerë jetës së tij me të vërtetën e punës. Pastë Shqipëria sa më shumë të rinj si Kristi!”, shkruan Gjergj Luca në postimin e tij. Ky vlerësim nuk është thjesht një kompliment personal; është një deklaratë parimore për atë se çfarë duhet të admirojmë dhe të promovojmë si shoqëri.

Ajo që bën Luca në këtë rast është një akt i rrallë i vlerësimit publik për punën e ndershme. Një gjest i thjeshtë në formë, por i fuqishëm në mesazh. Sepse sot, mjerisht, shoqëria shqiptare shpesh prodhon dhe riprodhon modele të rreme, njerëz që duan të bëhen të pasur pa prodhuar vlerë, që kërkojnë famë pa sakrificë, që shfaqen si “sukses” pa kaluar nëpër filtrin e përpjekjes dhe përgjegjësisë. Janë modele që nuk kanë as të sotme dhe as të ardhme, sepse janë të zbrazëta nga brenda.

Në këtë peizazh të turbullt moral, promovimi i Kristit është një thirrje për kthim te thelbi, puna si themel i dinjitetit njerëzor, si mjet formimi karakteri dhe si garanci për një shoqëri të shëndetshme. Nuk ka zhvillim pa respekt për punën manuale, për profesionet e vështira, për ata që ndërtojnë realisht botën fizike mbi të cilën ne jetojmë.

Synimi i Gjergj Lucës në këtë prezantim të Kristit, djalit që punon në sipërmarrjen e Rozafës në Fier, nuk është vetëm të tregojë një histori individuale suksesi. Synimi është të vendosë një pasqyrë përballë shoqërisë shqiptare, kë duam të rrisim, kë duam të admirojmë, çfarë vlerash duam t’u trashëgojmë brezave të rinj? Kristi nuk është përjashtim; ai duhet të bëhet rregull. Sepse vetëm duke promovuar modele të tilla, Shqipëria mund të ndërtojë jo vetëm ekonomi, por karakter, jo vetëm të ardhme materiale, por një shoqëri me shtyllë morale.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se me 10 shkurt demokratët do të qëndrojnë në Shesh?