Gjergj Luca: Me Neranxin ndahemi në ide dhe pikëpamje, por na lidh dëshira për punën dhe për të qenë kontrapedalë

Nga Albert Vataj

Në një nga daljet e tij më të fundit publike, në mjediset e Pallati i Kongreseve, ku u mbajt edicioni i 12-të i HoReCa Expo Albania 2026 (27-28 shkurt dhe 1 mars), Gjergj Luca u shfaq jo vetëm si sipërmarrës, por si një figurë që ka zgjedhur ta artikulojë suksesin përmes modelit, jo përmes retorikës.

Swiss Digital Desktop Reklama

I konsideruar si një nga aktorët më të fuqishëm të akuakulturës shqiptare, Luca përfaqëson një histori suksesi që ka kapërcyer kufijtë e një biznesi lokal, duke u shndërruar në një platformë prodhimi dhe eksporti me markën “Rozafa”, simbol i produkteve “Made in Albania”. Prania e tij në panair nuk ishte thjesht prezantim produktesh; ishte një dëshmi kapacitetesh, një ekspozim i një strukture të ndërtuar mbi disiplinën e punës, investimin afatgjatë dhe vizionin për konkurrencë reale në tregjet ndërkombëtare.
Në një videomesazh të ndarë në rrjetet sociale, Luca shfrytëzoi hapësirën e panairit për të prezantuar një tjetër figurë të njohur të jetës publike shqiptare, Nikollaq Neranxi. Ish-deputeti dhe ish-politikani, i identifikuar për vite me radhë me përfshirjen e tij në politikë, sot paraqitet në këtë platformë me logon “Neranxi”, si një shembull i rikthimit në themel, te sipërmarrja.

Swiss Digital Mobile Reklama

Me një dozë ironie provokuese, Luca iu drejtua ndjekësve të tij: “Dua t’ju prezantoj me biznesmenin më arrogant të Shqipërisë, me biznesmenin që fiku veten dhe u fut në politikë dhe… duke u distancuar prej saj ka sot sipërmarrjen një fuqi konkurruese dhe një potencial punësimi, edukimi dhe shërbimi.”
Në këtë fjali dhe komunikim intensiv dhe ekspresiv të tipit Luca, të ngarkuar me sarkazëm dhe respekt njëkohësisht, qëndron një mesazh më i thellë, depolitizimi si rikthim te produktiviteti. Në një realitet ku shpesh politika përthith energjitë e individëve aktivë ekonomikisht, rasti i Neranxit paraqitet si një trajektore kthimi drejt ekonomisë reale, drejt prodhimit, tregut, punësimit.
“Ne bashkë jemi sipërmarrës dhe bashkohemi e ndahemi në ide e në pikëpamje. Me Neranxin na lidh dëshira për punë dhe dëshira për të qenë kontrapedalë të dy…”, shkruan Luca.

Termi “kontrapedalë”, i përdorur nga ai, nënkupton një qëndrim kritik, jo konformist; një refuzim për t’u rreshtuar verbërisht, qoftë në mendim, qoftë në model. Është një afirmim i individualitetit brenda bashkëpunimit, një marrëdhënie ku dallimi nuk përjashton respektin dhe ku divergjenca e ideve nuk e pengon bashkimin për një qëllim të përbashkët: punën.
Në sfondin e një panairi që synon të fuqizojë industrinë e hoteleri-turizmit, kjo skenë shndërrohet në metaforë të një ekonomie që kërkon të çlirohet nga polarizimet sterile dhe të investojë në energjinë krijuese të sipërmarrjes. Luca dhe Neranxi, secili me historinë e vet, përfaqësojnë dy rrugë që takohen në një pikë: tek bindja se zhvillimi nuk prodhohet nga retorika, por nga struktura; jo nga zhurma, por nga kapaciteti.
Në një Shqipëri që ende kërkon modele funksionale, kjo dalje publike nuk është vetëm një episod panairi. Është një deklaratë, mund të ndahesh në ide, por të bashkohesh në punë. Dhe ndoshta, pikërisht aty nis transformimi real.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?