Gjergj Luca: Ta mbrojmë Shqipërinë duke e kritikuar, jo duke e sharë e mallkuar

“Ta kritikosh atdheun një ditë është e shëndetshme, por ta shash e ta mallkosh çdo ditë, siç bëjnë disa pseudogazetarë është mëkat. Një fjalë e mirë për detin, për malin a për lulet nuk ka kosto. Dashurojeni këtë vend dhe hiqni dorë nga djallëzitë sociale, se nuk do plakeni shpejt e do rroni më gjatë!”, kjo është ajo çfarë shkruan sipërmarrësi i “Rozafa”, Gjergj Luca në rrjetet sociale.

Në sfidën e tij personale, jo si një sipërmarrës, por si një qytetar i këtij vendi, që beson se të ikësh nuk është zgjidhje e problemeve, por të shpresosh dhe të përpiqesh për më të mirën. Ai vijon të evidentojë çfarë duhet ndryshuar në fushën e turizmit. Por e ka të pamundur të pajtohet me atë pjesë të medias që “në kërkim të lajmit” hedh baltë mbi mrekullinë e bregdetit shqiptar që nuk e venitin disa spekulant. Siç është i ashpër dhe kritikues për ato figura mediatike që në “kërkim të origjinalitetit”, “qasjes ndryshe”, minon shanset e atdheut. Luca beson se, pavarësisht problemeve, ky vend ka të sotme dhe të ardhme nëse e duam, nëse përpiqemi, nëse bëjmë secili atë çfarë duhet. Por kurrsesi jo nëse ngasim pas kërkimit të klikimeve dhe audiencës, edhe pse ai është i bindur se “Ai që bën gjithçka për para, askush nuk e ndalon të bëjë gjithçka për para”

Luca vëren se, nëse kritikojmë bizneset e turizmit për abuzimet me çmimet dhe shërbimet, këtë e bëjmë që situata të përmirësohet, që ata që po tallën me pushuesit, t’i vënë gishtin kokës, por nëse orkestrojmë një fushatë denigrimi për mundësitë e progresit që ofron atdheu ynë, kjo është kriminale.

Media nuk është në shërbim të qytetarëve për të shkatërruar imazhin e Shqipërisë, qoftë edhe  duke promovuar modele shqiptare që gjejnë suksesin jashtë vendit, apo duke bombarduar opinionin me keqinformim, si një nxitës për të gjetur të gjithë të nesërmen në një vend të huaj që kurrë nuk do të bëhet i yti.

Albert Vataj / Koha Jonë

 

SHKARKO APP