Home Aktualitet Zbardhet dosj...

Zbardhet dosja, si u gjetën 21 kg lëndë plasëse

25
0

Kontrollet e Shqiponjave të planizuar në autostradën Fier-Vlorë, te rrethrrotullimi i Vivës, parandaloi ngjarjen kriminale që dyshohet se do të ndodhte me shpërthimin e mbi 21 kg lëndë plasëse artizanale.

Tv Klan ka siguruar dosjen hetimore, për të cilën në pranga ra Albi Mëcini nga Kamza dhe u shpallën në kërkim dy të tjerë.

Aty renditen njëra pas tjetrës dëshmitë e punonjësve të policisë, të cilët rrëfejnë se si zbuluan skenën e krimit.

“Në krahun e djathtë në një xhep të rrugës konstatojmë një mjet tip Peugeot ngjyra e zezë. I afrohemi dhe nuk konstatojmë njerëz në të, ndërsa në tokë nga krahu i shoferit në afërsi të mjetit, gjetëm një maskë ngjyra e zezë dhe brenda në automjet nga pamja vizive me elektrik dore, shohim disa rroba dhe çanta marsupi. Pranë automjetit në krahun e djathtë në një kanal të vogël konstatojmë dy çanta shpine, ku njëra prej tyre ishte pak e hapur dhe në brendësi të saj pamë disa fije teli ngjyrë blu dhe një pjese tjetër e mbështjellë me natriban ngjyrë të errët, në të cilat ne dyshuam se mund të kishte lëndë eksplozive.”

200 metra më tej, efektivët tregojnë se shohin një makinë tjetër në ecje, e cila me konstatimin e policisë, lëviz indietro duke u fshehur në shkurre.

“Një moment mjeti na humbet nga shikimi pasi ishin disa shkurre të larta që na pengonin dhe ishte vendi i errësuar pa ndriçim. Kur afrohemi konstatojmë një mjet të fikur ngjyrë e bardhë tip Peugeot pa targa. Nga pamja vizive me elektrik në brendësi të mjetit shohim disa bidonë, ku në brendësi të tyre kishte lëndë djegëse të ngjashme si ajo e benzinës dhe një mbulesë makine mushama ngjyrë gri të cilat ndodheshin në pjesën e pasme të mjetit pas sediles së shoferit.”

Pas disa minutash, në makinën e parë të gjetur pranë lëndës plasëse afrohet, Albi Mëcini.

“Ne i komunikuam se do të shoqërojmë në komisariat për një verifikim, në këtë moment ky shtetas tentoi të largohej por nga terreni dhe errësira u rrëzua. Kur ne u afruam ai filloi të na kundërshtonte me forcë dhe të na ofendonte, duke thënë se ju nuk më shoqëroni dot. Në këtë kohë ne bëjmë prangosjen e këtij shtetasi me forcë.”

Hetuesit po punojnë për të gjetur objektivin e ngjarjes, teksa janë përballur me mohimin e Albi Mëcinit, i cili ka pretenduar se kishte ndaluar për të kryer nevojat personale dhe se po ikte me pushim në Vlorë.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit