Fushata e LGBT në gjimnaze, Luçiano Boci: Grupime me axhendë të dyshimtë, revoltuese

“Dorëzimi i edukimit diku tjetër në dorë të grupimeve ekstra-shkollorë, me axhendë të dyshimtë, është revoltues”.

Kështu shprehet deputeti i PD Luçiano Boçi në lidhje me takimet sensibilizuese të aktivistëve LGBTI me gjimnazistë të Tiranës. Në një status në “Facebook”, Boçi jep një panoramë të zymtë të arsimit sot në vend, duke nisur me rolin e mësuesit dhe akuzon ministren e Arsimit Lindita Nikolla dhe kryeministrin Edi Rama se po përmbysin edukimin në shkolla.

STATUSI I BOÇIT
PËRMBYSJA E EDUKIMIT
Shkolla është vendi ku fëmijët tanë marrin jo vetëm dijen, por paralelisht dhe edukohen.
Pajisen me norma e sjellje qytetare, për të ndërtuar aty personalitetin e tyre, për t’u “armatosur” me aftësi komunikative që e ndihmojnë të ketë sukses e të ndërtojë karrierë.

Në shkollë fëmijëve u transmetohen rregulla që stimulojnë dhe promovojnë të mirën, të vërtetën, virtytin, të drejtën, të bukurën, respektin, dashurinë për jetën dhe vlerat e patjetërsueshme të saj.
I forcon konceptin për familjen, shoqërinë, atdheun dhe bazat e organizimit të tyre.

Por a edukon sot shkolla jonë sa dhe si duhet?
Cilat janë vlerat që promovohen?
Mbi ç’baza shkencore pedagogjike realizohet edukimi?
Sa proceset mësimore të lëndëve të ndryshme ndihmojnë edukimin?
Fatkeqësisht edukimi është “i harruari i madh” i politikave të sotme në arsim.
Madje Nikolla e Rama po e përmbysin atë.

Edukimi nuk fillon e mbaron vetëm me një lëndë si Edukimi qytetar apo shtojca, apo terma si shkolla komunitare.
Edukimi nuk është vetëm politesë apo bashkësi formulash.
Ai është një proces kompleks që fillon nga ambienti shkollor, përfshin gjithçka ndodh në shkollë, e përfundon me përshëndetjen e mbarimit të ditës së mësimit.

Sot në shkollën tonë dhuna, antivlerat, modelet e deformuara “bëjnë ligjin”.
Këto nuk janë vetëm të importuar nga jashtë. Raportet nxënës-nxënës, nxënës-mësues, mësues-mësues, mësues-prindër, janë krejt të shprishura.
Procesi mësimor është ngushtuar në dhënien e vetëm asaj çfarë ka teksti dhe asgjë më shumë. Robotizimi i mësuesit dhe shndërrimi i tij në letërshkrues e kanë devijuar rolin e tij prej edukatori.
Pozita vulnerabël, trajtimi persekutues politik, përçmimi konstant nga politika e shoqëria e kanë zvogëluar aq shumë sa mësuesi i duket nxënësit si një shitës ambulant.

Modelet e suksesit që i imponohen nxënësve sot nxisin paaftësinë, gangsterizmin, dorëzimin para së keqes dhe shprishje të karakterit e devijime të personalitetit.
Vetë depërtimet me zor në ambientet shkollore, të fushatave që bëhen nga grupe që tejkalojnë të drejtat e tyre në këtë rast, siç po ndodh në shkollat e Tiranës, tregon që e gjitha kjo “lënie pas dore” e edukimit nuk është “pa dashje”.

Dorëzimi i edukimit diku tjetër në dorë të grupimeve ekstra-shkollorë, me axhendë të dyshimtë, është revoltues. Shmangia e shkollës në edukim është e pafalshme për funksionin që ajo përmbush dhe një situatë alarmante.

Është tjetër gjë respektimi i grupeve të caktuara si pjesë e qytetarisë europiane dhe tjetër gjë pajisja e fëmijëve me tiparet e vlerat absolute e të patjetërsueshme kombëtare, europiane e ndërkombëtare për familjen, shoqërinë e atdheun.

Denatyrimi i edukimit nuk i shërben askujt. As shoqërisë, as familjes, as individit. Shkolla jonë duhet të gjejë shinat e humbura e të kthejë mbarë edukimin.

Boci

SHKARKO APP