Gjiknuri, takim me banorë të Shushicës: Votë masive për PS-në. Bashkë vijojmë punët e nisura

Kandidati i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, zhvilloi pasditen e të enjtes një takim me banorë të Shushicës në bashkinë e Vlorës.
“Jam rikthyer dhe kam gjetur mirënjohjen tuaj. Në Njësinë Administrative Shushicë, së bashku do të vijojmë punët e nisura. Komunikimi ynë ka qenë i drejtpërdrejt, pasi unë kam qenë gjithmonë në dobi të komunitetit.
Ka lista të hapura dhe keni mundësi zgjedhjeje, por mendoj se ata që duan votën për Partinë Socialiste, për të respektuar një njeri që ka bërë shumë për Vlorën dhe që ka një zë të fortë në parlament, mendoj që drejtimi është kandidatura ime. Ju keni nevojë për një zë të fortë, që t’ju përfaqësojë si duhet; një njeri që e di si bëhet politika vendimarrëse, që e ka treguar veten me punë konkrete.
Nëse unë marr mbështetjen maksimale në njësinë tuaj, ju më jepni një kredi morale, jam në borxh moral për të bërë trefishin e asaj që duhet të bëj. Duke votuar për Partinë Socialiste, që ka bërë shumë për Vlorën, ju votoni edhe për rritjen e pensionit minimal, rritjen e pagës minimale, rritjen e pagës mesatare.
Krahas investimeve që janë bërë, këtu në zonën tuaj do të vijë rruga e cila do t’ju lidh direkt me autostradën në Vlorë. Natyrshëm do të sjellë një zhvillim edhe më të madh për bujqësinë dhe më të mira materiale për komunitetin tuaj”, tha Gjiknuri.