
Bashkia e Vlorës duhet t’i rikthehet procedurës së miratimit të buxhetit për vitin 2027, pasi Prefektura e Qarkut Vlorë nuk ka konfirmuar ligjshmërinë e vendimit të marrë nga Këshilli Bashkiak. Prefektja Evis Allushi ka sqaruar se vendimi nuk lidhet me vlerën financiare të buxhetit, por me procedurën e ndjekur për miratimin e tij. Sipas saj, buxheti vendor është miratuar përpara miratimit të buxhetit të shtetit për vitin 2027.
Vendimi i Prefekturës vjen pas një ankese zyrtare të 17 këshilltarëve të opozitës, të cilët kanë pretenduar se gjatë hartimit dhe miratimit të dokumentit financiar janë evidentuar shkelje procedurale dhe ligjore. Buxheti u miratua më 16 nëntor, me votat e shumicës, pas një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak që zgjati rreth gjashtë orë dhe u shoqërua me kundërshtime nga përfaqësuesit e opozitës.
“Pas 6 orësh diskutimesh dhe këmbënguljes së këshilltarëve të opozitës, të cilët ngritën pretendime konkrete për shkelje procedurale dhe ligjore në hartimin dhe miratimin e këtij buxheti, ai u miratua nga shumica”, thuhet në njoftimin e opozitës. Vetëm një ditë pas miratimit, më 17 nëntor, nënkryetari i Këshillit Bashkiak dhe tre kryetarët e grupeve të opozitës iu drejtuan Prefekturës me një shkresë zyrtare, duke kërkuar moskonfirmimin e ligjshmërisë së vendimit.
“Sot, Prefektura i ka përcjellë Bashkisë Vlorë shkresën zyrtare, duke mos e konfirmuar ligjshmërinë e buxhetit të miratuar”, vijon njoftimi. Tashmë pritet që Kryesia e Këshillit Bashkiak të njoftojë thirrjen e një mbledhjeje të re, ku dokumenti financiar do të shqyrtohet sërish dhe do t’u nënshtrohet procedurave të miratimit.
Përfaqësuesit e opozitës e kanë konsideruar vendimin e Prefekturës si një argument në mbështetje të kundërshtimeve të tyre, duke theksuar rëndësinë e respektimit të procedurave ligjore. “Kjo është arsyeja pse transparenca, respektimi i ligjit dhe përgjegjësia institucionale nuk mund të anashkalohen”, përfundon njoftimi i këshilltarëve të opozitës.