Hita në ceremoninë e rivarrimit të Novruz Cenalisë: Kush sulmon uniformën e Policisë do të ndeshet me ligjin
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, mori pjesë sot në ceremoninë e rivarrimit të Dëshmorit të Atdheut, Novruz Cenalia, në Varrezat e Dëshmorëve. Në ceremoni ishin të pranishëm ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, familjarë të dëshmorit, drejtues të Policisë së Shtetit, si dhe qytetarë të shumtë.
Në fjalën e tij, Hita e cilësoi ceremoninë si një moment reflektimi dhe respekti për sakrificën e efektivit të rënë në krye të detyrës, duke theksuar se humbja e tij mbetet një plagë për familjen, Policinë e Shtetit dhe gjithë shoqërinë shqiptare.
“Jemi këtu përballë dhimbjes së pamasë të një familjeje, krenarisë së palëkundur të uniformës së Policisë së Shtetit dhe detyrimit moral e institucional të shtetit ndaj një efektivi që dha jetën në mbrojtje të ligjit, të rendit dhe të sigurisë së qytetarëve”, deklaroi Hita.
Ai nënvizoi se ceremonia nuk ishte thjesht një procedurë shtetërore, por një betim për të mos harruar sakrificën e Novruz Cenalisë.
“Novruzi ra në krye të detyrës jo se ishte i pambrojtur, por sepse zgjodhi të ishte barriera mes qytetarëve dhe krimit. Për integritetin dhe besnikërinë ndaj detyrës, ai do të prehet përjetësisht mes Dëshmorëve të Atdheut”, tha drejtori i Policisë.
Hita shtoi se sakrifica e Cenalisë duhet të shërbejë si motivim dhe udhërrëfyes moral për çdo efektiv policie, ndërsa e cilësoi si një thirrje për respekt ndaj punës dhe rrezikut me të cilin përballen çdo ditë punonjësit e Policisë së Shtetit.
Në fund të fjalës së tij, kreu i Policisë së Shtetit përcolli edhe një mesazh të fortë ndaj personave që sulmojnë uniformën blu.
“Kush prek një punonjës policie, ka goditur vetë themelet e shtetit. Krimi mund të na shkaktojë dhimbje, por kurrë nuk do të arrijë të na gjunjëzojë apo të zbehë forcën e reagimit tonë”, u shpreh ai.

KOHA JONË SONDAZH

