U zgjodh nënkryetare e PD, Bajaziti: Zotohem të ndërtoj ura mes diasporës dhe Shqipërisë
Erisa Bajaziti është një emër i ri në skenën politike, por pak ditë më parë ajo është zgjedhur nënkryetare e Partisë Demokratike për Diasporën. Për të detyra e saj e re shkon përtej funksionit politik, duke theksuar se synimi kryesor është krijimi i urave të komunikimit dhe bashkëpunimit mes shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit dhe Shqipërisë.
“Unë e shoh këtë rol përtej titullit të nënkryetares. E shoh si një mundësi për të dhënë kontribut dhe për të ndërtuar ura lidhëse mes Partisë Demokratike dhe shqiptarëve të diasporës. Jashtë Shqipërisë ndodhet një kapital i jashtëzakonshëm njerëzor, me përvojë, dije dhe potencial ekonomik, që mund të kontribuojë për zhvillimin e vendit”,– tha ajo në ”A2cnn”.
Sipas Bajazitit, format e kontributit të diasporës mund të jenë të ndryshme, duke nisur nga idetë dhe ekspertiza profesionale, te lobimi, diplomacia dhe investimet ekonomike. “Ka shumë shqiptarë që, edhe pse jetojnë jashtë, dëshirojnë të japin diçka për vendlindjen. Mjafton vullneti i mirë për t’i bërë pjesë të këtij procesi. Unë zotohem të bëj më të mirën për të krijuar këtë urë jo vetëm me Partinë Demokratike, por me Shqipërinë. Ky është një mision që shkon përtej një force politike”,-u shpreh ajo.
KOHA JONË SONDAZH

