Atentati në Sarandë, autorët erdhën me motor dhe qëlluan 9 herë drejt 50-vjeçarit
Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me atentatin që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Sarandë. Autorët e dyshuar të cilët lëviznin me një motomjet dhe ishin të maskuar me skafandra, kanë ardhur nga rruga “Mit’hat Hoxha”, në drejtim nga stadiumi për te porti.
Ata kanë qëlluar në drejtim të Thimjo (Sandri) Rubatit me armë zjarri pistoletë të kalibrit 9 mm, duke shkrepur nëntë herë. Pas atentatit, autorët janë kthyer në të njëjtin itinerar nga kishin ardhur dhe janë larguar në drejtim të zonës së plazheve, pranë Baba Rexhepit.
Më pas ka dyshime se mund të jenë larguar me skaf. Motomjeti i përdorur në atentat nuk është gjetur ende dhe hetuesit dyshojnë se autorët e kanë marrë me vete. 50-vjeçari ka qenë i vetëdijshëm pas sulmit, por nuk ka mundur të identifikojë autorët, pasi ka deklaruar se nuk i ka njohur personat që e qëlluan. Nga të shtënat, Thimjo (Sandri) Rubati ka mbetur i plagosur me tre plumba dhe është transportuar në spital, ku po merr trajtim mjekësor.
KOHA JONË SONDAZH

