Humb kontrollin e furgonit me punëtorë në Vlorë, ndërron jetë 52-vjeçari

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur rreth orës 06:10 të mëngjesit të kësaj të diele në aksin Dukat–Orikum, në zonën e Fushë-Dukatit, ku një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Sipas informacioneve paraprake, një furgon që transportonte punëtorë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor. Dyshohet se punëtorët po udhëtonin nga Tirana drejt bregdetit.

Shkaqet e aksidentit mbeten ende nën hetim, ndërsa dyshohet se ngjarja mund të jetë shkaktuar nga përgjumja e drejtuesit të mjetit ose si pasojë e një arresti kardiak.

Swiss Digital Desktop Reklama

Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën Ilir Haka, 52 vjeç. Të plagosur kanë mbetur Saimir Haka, 22 vjeç, Qazim Haka, 44 vjeç, Sako Rexha, rreth 22 vjeç, si dhe dy persona të tjerë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Për shkak të dëmtimeve të mëdha të furgonit, u desh ndërhyrja e forcave zjarrfikëse, të cilat prenë pjesë të mjetit për të nxjerrë të plagosurit që kishin mbetur të bllokuar mes llamarinave. Furgoni kishte përfunduar pjesërisht i përmbysur në kanal.

Të plagosurit u transportuan me autoambulanca drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa trupi i viktimës u dërgua në morg.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet procedurale për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?