Gjuha shqipe përtej kufijve, mësuesit e diasporës mblidhen në Brezovicë për forcim të bashkëpunimit
Gjuha shqipe përtej kufijve vazhdon të jetojë falë përkushtimit të mësuesve që ua përcjellin brezave të rinj gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar.
Në Brezovicë u zhvillua edicioni i 19-të i Seminarit Mbarëkombëtar të Gjuhës Shqipe në Diasporë, ku mësues dhe përfaqësues institucionesh nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora diskutuan për sfidat dhe të ardhmen e arsimit shqip jashtë vendit.
“Sfida kryesore është koha, është përpjekja private, personale që bën gjithsecili prej mësuesve. Janë mundësitë ekonomike të çdo mësuesi dhe mundësitë, do të thosha, mundësitë që na lë ambienti në të cilin ne funksionojmë. Një sfidë e madhe është edhe qasja e fëmijëve shqiptarë ndaj kurseve tona, sepse ne nuk jemi kurse të institucionalizuara. Jemi një organizatë e cila funksionon vullnetarisht”, tha mësuesja.
“Sfidë kryesore janë nxënësit, mungesa, numri i vogël i nxënësve, se për mësuesin nuk është kurrë mjaft numri i mjaftueshëm i nxënësve”, shprehet mësuesja.
Për mësuesit e diasporës, seminari është një mundësi për shkëmbim përvojash dhe diskutim të sfidave të mësimit të gjuhës shqipe. Ata kërkojnë zgjerimin e mbështetjes institucionale për shkollat shqipe.
“Ne kemi mbështetjen e institucioneve, kemi librat që i kemi në dispozicion, materiale të ndryshme multimediale. Mësues e diasporës kanë nevojë dhe për trajnime super profesionale, sepse ne nuk jemi mësues të lindur aty ku jemi”, tha mësuesi.
“Në momentin që bashkojmë forcat, në momentin që bashkëbisedojmë n së veten, në momentin që nxjerrim të gjitha gjërat e nevojshme të cilët i duhen organizimit sa më të mirë të gjuhës shqipe, pa dyshim se suksesi nuk mungon”, shprehet një tjetër.
Përfaqësueset e Ministrive të Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës vlerësuan rolin e mësuesve në diasporë dhe ritheksuan angazhimin për forcimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.
“Bashkëpunimet me institucionet e Shqipërisë i kemi jashtëzakonisht të mira. Bashkë kemi përgatitur kurrikulën e mësimit plotësues, i kemi tekstet, i kemi abetaren e përbashkët dhe, në realizimin e seminarit, domethënë si një prej aktiviteteve më të rëndësishme për mësuesit, kemi, mund të them, bashkëpunim të jashtëzakonshëm dhe funksionojmë shumë mirë kur bëhemi bashkë”, tha Anila Ferizaj Përfaqësuese e Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë.
“Ka vite që ne që nga viti 2015 kur ne kemi bërë marrëveshjet midis dy vendeve për mbështetjen e këtij mësimi, ne kemi ecur përpara me kurrikulën e përbashkët. Pra, ne kemi një kurrikul të përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë. Që e kemi bërë pikërisht në bashkëpunim të dy vendet me grupe pune të përbashkëta dhe është e nënshkruar nga ministrat e arsimit të të dy vendeve në vitin 2018”, tha Besarta Haskaj Balaj, Përfaqësuese e Ministrisë së Arsimit të Kosovës, raporton RTSH.
Seminari i 19-të Mbarëkombëtar i Gjuhës Shqipe në Diasporë përcolli mesazhin se bashkëpunimi mes mësuesve dhe institucioneve mbetet thelbësor për ta mbajtur gjallë gjuhën shqipe te brezat që rriten larg atdheut.
/Kosovapress/
KOHA JONË SONDAZH

