Zbulohet pas një shekulli formula e eliksirit antik të murgjve i ngjashëm me Coca-Cola-n

Një dokument që kishte mbetur i fshehur për më shumë se një shekull është zbuluar gjatë riorganizimit të arkivit të farmacisë së lashtë të manastirit të San Markos në Firence.

Sipas të përjavshmes “Toscana Oggi”, dokumenti mund të përmbajë recetën e një eliksiri që konsiderohet një pararendës i Coca-Cola-s. Bëhet fjalë për një fletëpalosje reklamuese të mesit të shekullit XIX, ku përshkruhet një “eliksir veror rigjallërues” i përgatitur me gjethe koka nga Bolivia dhe arrë kola, dy përbërës që shfaqen edhe në formulën historike të “French Wine Coca”, preparati medicinal i krijuar nga farmacisti amerikan John Stith Pemberton, nga i cili më vonë lindi Coca-Cola.

Zbulimi u bë nga At Manuel Russo, rektori i manastirit të San Markos, i cili gjatë konsultimit të arkivit historik zbuloi se ky eliksir ishte një nga produktet më të kërkuara të farmacisë së murgjve.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas fletëpalosjes, eliksiri shërbente si tonik për të lehtësuar lodhjen fizike dhe mendore, dhimbjet e kokës dhe dobësinë e shkaktuar nga mosha ose sforcimet e mëdha.

Swiss Digital Mobile Reklama

Receta përfshinte 30 gramë arrë kola dhe 10 gramë gjethe koka boliviane, të lëna në infuzion në një litër përzierje alkoolike.

Sipas studiuesve, këta përbërës ka të ngjarë të kenë mbërritur në Itali falë misionarëve që vepronin në atë kohë në Amerikën Latine dhe Afrikë.

Megjithatë, deri tani nuk ekzistojnë prova dokumentare që të vërtetojnë një lidhje të drejtpërdrejtë midis këtij eliksiri dhe recetës së Coca-Cola-s.

Zbulimi mbetet një dëshmi interesante historike që hedh dritë mbi traditën farmaceutike të manastirit të San Markos dhe përdorimin e hershëm të përbërësve që më vonë u bënë të famshëm në një nga pijet më të njohura në botë.

ATSH

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?