Kush dhe pse e fshiu nga kalendari i të kremteve “1 Shtatorin” si ditën e fillimit të shkollës?!
Aktualitet Kultura E Martë, 1 Shtator 2026 12:23

Kolazh me foto nga dita e pare e shklles me 1 Shtator, ne kohe dhe vende te ndryshme. Fotomontazh nga Albert Vataj/ Koha Jone
Nga Albert Vataj
Sot është 1 Shtator, në oborret e shkollave nuk ka fëmijë. Prindërit nuk janë më si dikur, më të emocionuar se fëmijët e tyre që do të fillonin të hidhnin hapin e parë në rrugën e dijes.
Rrugëve këtë ditë nuk ka më fëmijë të ndrojtur që struken te prindërit e tyre, apo prej tyre që mbajnë në duar buqeta lulesh për mësuesen e tyre të parë, në ditën e tyre të parë, në hapin e tyre të parë në rrugën e dijes.
Ndoshta nuk ka rëndësi kalendarike sa ç’ka simbolike përcaktimi i një date fikse të fillimit të vitit të ri shkollor, një datë që shënjon, një datë që ruhet në kujtesë, një datë që udhëton me ty si nisja, si fillimi i një rruge të gjatë drejt dritës.
1 Shtatori ishte një prej tyre.
Ishte dita kur fëmija e kuptonte se po linte pas një copëz të fëmijërisë së tij dhe po hynte në një botë tjetër: një botë me banka, libra, dërrasë të zezë, zile, rregulla, detyra, miqësi, frikë, ëndrra dhe një figurë që, për shumë vite, do të mbetej në kujtesë, mësuesja e parë.
Ndoshta nuk ka ndonjë rëndësi të jashtëzakonshme pedagogjike nëse viti shkollor nis më 1, më 10 apo më 14 Shtator.
Por ka një rëndësi të madhe simbolike që një shoqëri t’i japë një date kuptimin e fillimit.
Sepse fëmijët nuk rriten vetëm me programe mësimore. Ata rriten edhe me kujtime.
Dhe kujtimet nuk kanë nevojë për udhëzime administrative; kanë nevojë për momente.
Është e vërtetë se 1 Shtatori si fillim tradicional i vitit shkollor lidhet me një traditë të gjerë të vendeve të ish-Bllokut Lindor. Në Rusi, Ukrainë, Bullgari dhe vende të tjera, 1 Shtatori vazhdon të jetë i lidhur me Ditën e Dijes, me ceremoninë e fillimit të vitit shkollor dhe me një simbolikë të fortë publike.
Por këtu lind pyetja:
A duhet të fshijmë një kujtim vetëm sepse e ka përdorur një sistem që nuk na pëlqen?
Nëse po, atëherë do të duhej të rishikonim një pjesë të madhe të kalendarit tonë, të gjuhës sonë institucionale, të ceremonive, të arkitekturës, të muzikës, madje edhe të kujtimeve tona familjare.
Sepse diktaturat nuk kanë shpikur fëmijërinë, as shkollën, as librin, as mësuesin, as emocionin e ditës së parë.
Ajo që ishte ideologjike ishte mënyra se si sistemi e përdorte shkollën. Por fillimi i shkollës nuk është ideologji.
Një fëmijë që hyn për herë të parë në klasë nuk është komunist, demokrat, lindor apo perëndimor.
Është thjesht një fëmijë.
Dhe një mësues që i hap derën e klasës nuk është një relike e ndonjë sistemi politik.
Është një njeri që i hap një fëmije derën drejt dijes; që i jep dorën apo e ledhaton për të qenë më me vetëbesim në këtë hap të parë që po hedh; për të qenë më kureshtar në këtë të panjohur me të cilën takohet sot dhe do të lartësohet nesër; për të qenë i sigurt se në klasë ai do të jetë jo vetëm me familjen e tij, por me një familje më të madhe, me të cilën do të zbulojë një botë të re; do të ketë shoqe e shokë me të cilët do të mësojë e do të luajë; do të ketë një bankë që do të jetë e tija apo e saja.
Prandaj, nëse 1 Shtatori u hoq për t’u distancuar nga një traditë e trashëguar nga Lindja, pyetja që duhet bërë sot është më e thellë:
A e hoqëm vetëm një datë apo, pa e kuptuar, po heqim edhe ceremoninë, solemnitetin dhe respektin që duhet të rrethojë festën e kremtes së dijes?
Dikur, dita e parë e shkollës kishte një lloj solemniteti që sot duket sikur po tretet.
Nuk ishte thjesht: “Hapet viti shkollor.” Ishte një ngjarje. Prindi e përcillte fëmijën. Fëmija që strukej drejt prindit që e përcjell dhe mësuesit që e presin butësisht e ëmbëlsisht për t’u dhënë atyre, përmes shkollës, klasës e bankës, një botë të re dhe një ëndërr që është ajo që ata duan.
Pas shthurjes së ziles, natyrisht që duhej të hiqeshin njëherësh borizani, rreshtimi, betimi, gjimnastika e mëngjesit, shalli i kuq i pionierit, jaka e bardhë dhe uniforma, patjetër apeli dhe kontrolli i higjienës. Ndoshta ne duhet të mbronim brezin e ri të mësimdhënies nga gjithë këto “kinezëri” e “bolshevizma”, siç duhet t’ia ndalonim me rreptësi konsiderimin e shkollës si një strehë asistence apo si një mundësi të mirë për t’i bishtnuar angazhimeve familjare e për të injoruar çdo detyrim e përgjegjësi, apo për të qenë më i lirë në çdo paudhësi e tekë moshore, të cilat për fat të keq e kanë marrë në një kërcënim serioz autoritetin e shkollës si një institucion i dijes dhe edukimit.
Por sistemi modern i arsimit, ai që e konsideroi të parëndësishëm 1 Shtatorin duke e fshirë si datë, rrezikon gjithnjë e më shumë ta kthejë mësuesin në një administrues të një procesi: planifikime, formularë, dokumentacion, objektiva, kompetenca, standarde, raporte, evidenca.
Dhe diku mes gjithë këtyre plan-programeve ditore mësimore, mund të humbasë ajo që nuk matet dot në formular: aftësia për të frymëzuar.
Për fat të mirë, mësuesi i mirë nuk është thjesht ai që e përfundon programin, por është ai që i bën nxënësit të duan të dinë më shumë se ç’u kërkohet.
Nuk është thjesht ai që është “korrekt”, është ai që është i drejtë.
Nuk është thjesht ai që përcjell informacion, është ai që formon karakter.
Dhe këtu qëndron paradoksi ynë. Flasim shumë për reformimin e shkollës, për metodat e reja, teknologjinë, kompetencat dhe kurrikulat, por shumë më pak për pyetjen themelore: çfarë lloj njeriu duam të dalë nga ajo shkollë?
Sepse mund të kemi një nxënës që di shumë dhe kupton pak.
Mund të kemi një nxënës që merr nota të mira dhe nuk di të mbajë përgjegjësi.
Mund të kemi një fëmijë që përdor teknologjinë me mjeshtëri, por nuk di të lexojë një libër.
Mund të kemi një të ri që di të kërkojë gjithçka në internet, por nuk di të bëjë një pyetje të zgjuar.
Kjo është kriza e vërtetë.
Jo data e fillimit, e cila natyrisht që nuk është prioritare në rëndësinë që ka dhe duhet të ketë shkolla e mësimnxënia.
Në këtë pikë, dallimi me Kosovën është domethënës. Në Kosovë, viti shkollor 2026/2027 nis më 1 Shtator.
Ndërsa në Shqipëri, sipas kalendarit të miratuar nga Ministria e Arsimit, mësimi për arsimin bazë dhe arsimin e mesëm të lartë nis më 14 Shtator 2026 dhe përfundon më 18 Qershor 2027. Për maturantët përfundon më herët, më 4 Qershor 2027, në funksion të përgatitjeve për Maturën Shtetërore.
Dallimi në vetvete nuk është ndonjë dramë. Secili sistem ka arsyet e veta, kushtet e veta, organizimin e vet. Por simbolika është e bukur për t’u menduar dhe emocionuese për t’u bartur nga prindi te fëmija.
Në njërën anë të kufirit politik, sot shkolla hap dyert. Në anën tjetër, oborret janë ende bosh.
Dhe kjo na rikthen te pyetja: A ka ende nevojë shoqëria shqiptare për ditë që i japin dijes një fytyrë, një solemnitet, një kujtim?
Unë besoj se po.
Madje sot më shumë se kurrë.
Një fëmijë ka nevojë ta ndiejë se po fillon diçka.
Ka nevojë për një mëngjes ndryshe.
Për një këmishë të re.
Për një çantë të re.
Për një lule.
Për një fotografi pranë derës së shkollës.
Për dorën e nënës.
Për zërin e babait që i thotë: “Shko, mëso.”
Për një mësuese që i buzëqesh.
Për një zile që tingëllon.
Këto duken gjëra të vogla.
Por fëmijëria ndërtohet nga gjërat e vogla.
Dhe shumë vite më vonë, kur ai fëmijë të jetë burrë ose grua, kur të jetë larguar nga qyteti, kur prindërit të jenë plakur dhe shkolla të jetë vetëm një ndërtesë e largët në kujtesë, ai mund të mos kujtojë formulën e parë matematikore, as faqen e parë të abetares.
Por mund të kujtojë dorën e nënës që e mbante atë mëngjes.
Mund të kujtojë lulen.
Mund të kujtojë bankën.
Mund të kujtojë fytyrën e mësueses.
Mund të kujtojë frikën.
Dhe mund të kujtojë atë çast të vogël e të madh kur për herë të parë ndjeu se bota ishte më e madhe se shtëpia.
Prandaj, le ta bëjmë pyetjen ndryshe.
Kush e fshiu 1 Shtatorin?
Ministria?
Reforma?
Kalendarët e rinj?
Dëshira për t’u shkëputur nga e kaluara?
Nuk është kjo pyetja më e rëndësishme.
Pyetja e vërtetë është:
Çfarë kemi humbur bashkë me të?
Nëse kemi hequr vetëm një datë, nuk ka ndodhur asgjë.
Por nëse, duke hequr datën, kemi humbur edhe solemnitetin e fillimit, autoritetin e mësuesit, respektin për librin, përgjegjësinë e nxënësit, përfshirjen e prindit dhe idenë se shkolla është një tempull i dijes, atëherë problemi nuk është më kalendari.
Problemi është shkolla.
Dhe shkolla është shumë më tepër se një ndërtesë ku zhvillohen orët e mësimit.
Ajo është një nga institucionet ku një shoqëri perpiqet të riprodhojë veten.
Aty ajo i thotë brezit të ri:
“Këta jemi ne. Këto janë dijet tona. Këto janë vlerat tona. Këto janë gabimet tona. Këto janë ëndrrat tona. Merri, kuptoji, kundërshtoji kur duhet dhe bëji më të mira.”
Prandaj një shoqëri që nuk e nderon shkollën, herët a vonë do të përballet me një brez që nuk e kupton pse duhet ta nderojë dijen.
Dhe kjo është shumë më e rrezikshme se ndryshimi i një date në kalendar.
1 Shtatori mund të mos jetë më dita e parë e shkollës.
Por mund të mbetet dita kur kujtojmë pse shkolla duhet të jetë e para.
Sepse një komb nuk fillon të ndërtojë të ardhmen kur hap një fabrikë, një rrugë apo një kullë.
E ardhmja fillon atë mëngjes kur një fëmijë hap librin e parë.
Dhe ndoshta kjo është ajo që duhet të rikthejmë: jo domosdoshmërisht 1 Shtatorin si datë administrative, por 1 Shtatorin si simbol.
Sepse datat mund të ndryshohen me një vendim.
Por një shoqëri që e humb ceremoninë e dijes, rrezikon të humbë edhe vetë kuptimin e dijes.
KOHA JONË SONDAZH