Kjo vjeshtë e vështirë politike!

Gushti mbaroi, por politika shqiptare nuk bëri pushime. Përkundrazi, palët hyjnë në shtator më të tensionuara, më të mobilizuara dhe me më shumë pikëpyetje se në fillim të verës.

Kjo do të jetë një vjeshtë e vështirë politike. Për Edi Ramën, për Sali Berishën, por edhe për Protestën që prej muajsh kërkon të krijojë identitetin e vet politik.

Edi Rama hyn në këtë vjeshtë me 83 mandate. Në letër ka gjithçka: qeverinë, shumicën parlamentare, pushtetin vendor dhe një Parti Socialiste që vazhdon të jetë makina elektorale më e organizuar në vend.

Swiss Digital Desktop Reklama

Por 83 mandate nuk të garantojnë domosdoshmërisht 83 arsye për të qenë i qetë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Lëvizjet e Kryeministrit gjatë fundit të gushtit e tregojnë këtë. Mbledhjet në Pogradec, analiza e ministrave, dokumenti “Besa”, kërkesa që deputetët dhe drejtuesit politikë të zbresin në terren, si dhe nisja e përgatitjeve për zgjedhjet vendore të vitit 2027 tregojnë se Rama e ka kuptuar se mandati i katërt nuk mund të jetë një vazhdim rutinë i tre mandateve të para. PS tashmë ka nisur realisht mobilizimin për zgjedhjet vendore.

Pas 13 vitesh në pushtet, kundërshtari më i madh i një qeverie nuk është vetëm opozita. Është konsumimi. Është administrata që lodhet. Është qytetari që kërkon më shumë. Janë premtimet që nuk mund të përsëriten pafund. Është perceptimi se pushteti është bërë tepër i gjatë dhe tepër i sigurt në vetvete.

Prandaj Rama kërkon “Besën”, kontaktin me qytetarin dhe një mënyrë të re komunikimi të pushtetit me njerëzit. Por përballë tij nuk është vetëm Sali Berisha. Kjo është risia politike e kësaj vjeshte. Protesta e nisur gjatë verës ka rezistuar për muaj me radhë dhe ka kaluar nga një kundërshtim konkret në një lëvizje me kërkesa politike më të gjera. Edhe mediat ndërkombëtare e kanë evidentuar vazhdimësinë dhe dimensionin politik të saj.

Por tani Protesta hyn në provimin më të vështirë. Çfarë do të bëjë? Do të vazhdojë të protestojë çdo mbrëmje? Do të mbetet vetëm një lëvizje kundër Ramës? Apo do të kthehet në një alternativë politike, me drejtues, program dhe kandidatë? Sepse një protestë mund ta mbajë qeverinë nën presion, por nuk mund ta zëvendësojë atë pa kaluar nga kutia e votimit.

Nëse “Shqipëria e Re” merr formë politike dhe hyn në zgjedhjet vendore të vitit 2027, atëherë skena politike shqiptare ndryshon seriozisht. Për herë të parë prej vitesh, beteja mund të mos jetë vetëm PS-PD.

Dhe pikërisht këtu fillon problemi i Sali Berishës. Berisha dëshiron që çdo pakënaqësi ndaj Ramës të përfundojë te PD. Por nuk është e sigurt se do të ndodhë kështu. Një pjesë e qytetarëve që protestojnë kundër qeverisë nuk duan automatikisht rikthimin te opozita tradicionale. Kështu që këtë vjeshtë Berisha ka një detyrë po aq të vështirë sa Rama: duhet të provojë se PD-ja është alternativë dhe jo vetëm opozitë. Ndërsa Protesta duhet të provojë se është më shumë se zemërim. Në horizont janë zgjedhjet vendore të vitit 2027 dhe beteja e madhe do të jetë Tirana. Edhe fakti që PS po kërkon që tani emra dhe figura të lidhura me komunitetet tregon se socialistët e kanë kuptuar se gara ka nisur shumë përpara hapjes zyrtare të fushatës.

Kush merr Tiranën, merr jo vetëm bashkinë më të madhe të vendit. Merr simbolikisht edhe epërsinë politike për betejën që vjen më pas. Prandaj shtatori nuk hap vetëm sezonin e ri parlamentar.

Rama duhet të mbrojë pushtetin nga konsumimi. Berisha duhet të provojë se mund të fitojë dhe jo vetëm të denoncojë. Protesta duhet të vendosë nëse do të mbetet në bulevard apo do të hyjë në zgjedhje.

Dhe qytetari do të kërkojë të shohë se cili prej tyre ka një ofertë reale përtej fjalimeve. Kjo është arsyeja pse kjo vjeshtë do të jetë e vështirë.

Sepse për herë të parë prej kohësh, Rama ka pushtetin, por jo qetësinë; Berisha ka opozitën, por jo monopolin e pakënaqësisë; ndërsa Protesta ka pakënaqësinë, por ende nuk ka votën.

Dhe në fund politika matet aty: jo me sa njerëz ke në shesh, as me sa mandate ke në xhep, por me sa qytetarë arrin të bindësh kur vjen dita e votës./redaksia e KOHA JONE/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?