Bllokuan autostradën, ndëshkohen dasmorët
Policia Rrugore e Tiranës ka proceduar penalisht 3 persona të cilët janë filmuar teksa bllokonin autostradën Tiranë-Durrës pasi po lëviznin me një kolonë makinash. “Pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, që shfaqte këtë sjellje të kundërligjshme në autostradën “Tiranë-Durrës”, u ndërmorën masa të menjëhershme, si procedimi në gjendje të lirë, i 3 prej shtetasve që shfaqen në pamje, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, si dhe sekuestrimi i automjeteve që ata drejtonin dhe masa administrative përkatëse sipas kodit rrugor. Veprimet vijojnë për të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore, të gjithë autorët e kësaj sjellje të kundërligjshme që shkaktoi kaos në qarkullim dhe u bë pengesë për përdoruesit e tjerë të rrugës”, tha policia.
Procedimi është vetëm një prej mijëra masave të marra përgjatë fundjavës për kundërvajtësit rrugorë. “Si rezultat i monitorimit konstant, gjatë kësaj periudhë u arrestuan/proceduan penalisht 32 shtetas, u bllokuan 48 mjete dhe u vendosën 13 522 masa administrative, ndër të cilat:
-8818, për ndalim dhe qëndrim të gabuar;
-1243, për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve;
-602, për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
-487, për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit;
-66, për kalim të gabuar në karrexhatën e ngadalësimit;
-26, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit”, tha policia.
“Policia Rrugore e Tiranës apelon në mënyrë të vazhdueshme për të gjithë përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes maksimal dhe respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor. Ftojmë qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.

