Sokol Sadushi në krye të Gjykatës së Lartë: Çfarë gjykate mori dhe çfarë gjykate lë pas?

Më 17 tetor përfundon mandati i Sokol Sadushit si Kryetar i Gjykatës së Lartë. Është një moment që mund të lexohet thjesht si përfundimi i mandatit të një drejtuesi dhe fillimi i mandatit të një tjetri. Por, për Gjykatën e Lartë të këtyre viteve, një lexim i tillë do të ishte i pamjaftueshëm.

Pyetja që vlen të bëhet është më e thjeshtë: çfarë Gjykate të Lartë gjeti Sokol Sadushi dhe çfarë Gjykate të Lartë lë pas?

Kur u rikthye në Gjykatën e Lartë, në vitin 2020, institucioni ishte në një nga momentet më të vështira të historisë së tij. Reforma në drejtësi dhe procesi i rivlerësimit e kishin reduktuar trupën pothuajse deri në mosfunksionim. Gjykata kishte mbetur me një gjyqtar dhe mbi të rëndonte një stok prej rreth 35 mijë çështjesh të pashqyrtuara. Gjykata më e lartë e vendit, së cilës Kushtetuta i ngarkon misionin për të orientuar dhe njësuar praktikën gjyqësore, rrezikonte të ishte e tillë më shumë në emër sesa në funksion.

Swiss Digital Desktop Reklama

Swiss Digital Mobile Reklama

Sot panorama është tjetër.

Gjykata është funksionale, kolegjet e saj gjykojnë rregullisht, mekanizmat e njësimit janë aktivizuar, komunikimi i jurisprudencës është zgjeruar dhe stoku historik është reduktuar ndjeshëm. Në fund të vitit 2025 kishin mbetur 14.081 çështje të prapambetura, ndërsa vetëm atë vit u dhanë 6.876 vendime. Në muajt e parë të vitit 2026 reduktimi i stokut historik arriti rreth 65 për qind.

Shifrat kanë rëndësi. Por vetëm shifrat nuk e tregojnë historinë e kësaj periudhe.

Sepse sfida nuk ishte thjesht të mbylleshin dosje. Një Gjykatë e Lartë nuk matet vetëm me sa vendime jep, por me drejtimin që i jep së drejtës.

Në këto vite është tentuar që Gjykata e Lartë të rikthehet nga një gjykatë e mbingarkuar me zgjidhjen e mijëra mosmarrëveshjeve individuale, në një gjykatë kasacioni që orienton gjykatat më të ulëta dhe ndërhyn kur praktika kërkon njësim ose zhvillim.

Vendimet njësuese, nismat për njësimin e praktikës, buletinet periodike, publikimi dhe sistematizimi i jurisprudencës, JUDIX-i, tryezat me gjykatat dhe profesionistët e së drejtës, si edhe përpjekja për të sqaruar standardin e rekursit, janë pjesë e së njëjtës filozofi: Gjykata e Lartë nuk duhet vetëm të zgjidhë çështje; duhet të prodhojë siguri juridike.

Në këtë drejtim, Sadushi solli në krye të saj diçka që lidhet edhe me formimin e tij: ndërthurjen e gjyqtarit me profesorin e së drejtës. Kjo ka qenë një nga pikat e tij më të forta, por edhe një nga tiparet që ka prodhuar debat. Ai nuk është mjaftuar me administrimin e institucionit. Ka kërkuar të artikulojë publikisht se çfarë duhet të jetë një Gjykatë e Lartë, çfarë kërkohet nga një gjyqtar dhe ku, sipas tij, sistemi po gabon.

Sokol Sadushi nuk ka qenë një kryetar i heshtur.

Ka folur për cilësinë e dobët të rekurseve, për formalizmin, për vonesat, për përgjegjësinë e administratës publike në prodhimin e konflikteve gjyqësore, për nevojën e meritokracisë dhe për përgjegjësinë që vetë gjyqësori duhet të marrë për problemet e tij.

Por mandati i tij nuk është karakterizuar vetëm nga fjala. Në disa prej momenteve më të ndërlikuara të drejtësisë shqiptare të viteve të fundit, atij i është dashur të zgjedhë ndërmjet heshtjes institucionale dhe marrjes së një pozicioni. Në shumicën e rasteve ka zgjedhur të dytën.

Këtu gjendet një dimension tjetër i mandatit të tij.

Pavarësia kur duhet ushtruar

Pavarësia e gjyqësorit është e lehtë për t’u mbrojtur në fjalime. Prova e saj fillon kur institucioni duhet të thotë diçka që nuk i pëlqen pushtetit, politikës, një institucioni tjetër ose ndonjëherë edhe vetë sistemit të drejtësisë.

Gjatë mandatit të Sadushit këto momente kanë qenë të shumta.

Kur u shfaq nisma parlamentare për rishikimin e problematikave të Reformës në Drejtësi, e lidhur publikisht me Komisionin e drejtuar nga Fatmir Xhafaj, Sadushi ishte ndër zërat që paralajmëroi kundër një ndërhyrjeje që mund të prekte arkitekturën kushtetuese të reformës. Pozicioni kishte peshë të veçantë: vinte nga një prej juristëve që kishte drejtuar hartimin e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016. Mesazhi nuk ishte se reforma nuk mund të korrigjohet. Ishte se korrigjimi i problemeve të zbatimit nuk duhet të shndërrohet në rihapje të ekuilibrave kushtetues mbi të cilët u ndërtua pavarësia e sistemit të ri.

Një përballje shumë më e drejtpërdrejtë ndodhi me mandatin e Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.

Përfundimi i mandatit krijoi një situatë të pazakontë: Gjykata Kushtetuese nuk kishte vënë në lëvizje në kohë mekanizmin që do t’i hapte rrugë procedurës së zëvendësimit, ndërkohë që Gjykata e Lartë ishte organi i emërtesës për vakancën përkatëse.

Sadushi vendosi të hapte garën.

Veprimi solli kundërshtime dhe sulme të forta. U interpretua edhe si ndërhyrje ndaj Gjykatës Kushtetuese. Por argumenti i tij ishte tjetër: mosveprimi i një organi kushtetues nuk mund të detyrojë një organ tjetër të mos ushtrojë kompetencën që Kushtetuta i ka ngarkuar.

Në atë debat Sadushi mbeti në një pozicion institucionalisht të vështirë dhe për një periudhë pothuajse i vetëm në mbrojtje të vendimit të marrë. Por ai e formuloi çështjen si përgjegjësi: po të mos vepronte, do të ndiente përgjegjësi përpara ligjit.

 

Ky episod tregon diçka më të gjerë për konceptin e tij mbi detyrën: edhe mosveprimi mund të jetë zgjedhje. Dhe ndonjëherë është zgjedhja më e gabuar.

Një tjetër përballje erdhi nga një drejtim krejt tjetër: hartimi i Kodit të ri Penal. Sadushi nuk kundërshtoi nevojën për një kod të ri apo modernizimin e legjislacionit penal. Kritika e tij iu drejtua mënyrës se si një ndër aktet më të rëndësishme të shtetit po hartohej dhe konsultohej. Ai kërkoi transparencë, gjithëpërfshirje dhe një debat real profesional. Një kod nuk fiton autoritet vetëm sepse miratohet; ai duhet të fitojë legjitimitet edhe nga procesi përmes të cilit ndërtohet.

Rasti i Asim Vokshit ishte ndoshta më personal në intensitetin e sulmeve.

Si Kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Sadushi dhe KED nuk pranuan që informacioni i ardhur nga një institucion shtetëror të merrej automatikisht si fakt që skualifikonte kandidatin për Gjykatën Kushtetuese. Këshilli e nënshtroi atë verifikimit dhe arriti në përfundimin se nuk kishte bazë për skualifikim.

Pasuan akuza, etiketime dhe sulme të forta publike ndaj tij dhe ndaj anëtarëve të KED-së, përfshirë Naureda Llagamin.

Në thelb, megjithatë, çështja ishte institucionale: a duhet një organ kushtetues të marrë vendim mbi autoritetin e burimit që i dërgon një informacion, apo mbi faktet që arrin të verifikojë vetë?

KED zgjodhi të dytën.

Zhvillimet e mëvonshme penale duhet të trajtohen me kujdes dhe pa paragjykuar askënd. Por ato nuk e ndryshojnë parimin që u vu në provë atëherë: në shtetin e së drejtës, informacioni, sado i rëndësishëm të jetë institucioni që e prodhon, nuk mund të zëvendësojë provën dhe procesin e verifikimit.

Edhe vrasja tragjike e gjyqtarit Astrit Kalaja e vendosi Sadushin përpara një tjetër lloj përgjegjësie. Ai mblodhi Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve dhe e zhvendosi debatin nga reagimi emocional ndaj një ngjarjeje të rëndë te një problem më i gjerë: siguria e gjyqtarit nuk është çështje personale e gjyqtarit; është kusht për funksionimin e drejtësisë.

Ishte një mesazh edhe për institucionet e tjera. Pavarësia nuk garantohet vetëm duke mos telefonuar një gjyqtar për çështjen që gjykon. Ajo kërkon që shteti t’i krijojë atij kushtet për ta ushtruar detyrën pa frikë.

Po aq debat shkaktoi nisma e ndërmarrë nga Sadushi për rishikimin e jurisprudencës së Gjykatës së Lartë mbi paraburgimin dhe ndryshimin e standardeve të vendimit unifikues nr. 7/2011.

Edhe këtu pati kundërshtime. Por teza e tij ishte juridikisht e qartë: paraburgimi nuk mund të shndërrohet në automatizëm; privimi i lirisë përpara dënimit kërkon arsye konkrete, individualizim të rrezikut dhe shqyrtim real të masave më pak kufizuese.

Nisma prekte një praktikë të konsoliduar dhe pikërisht për këtë prodhoi rezistencë. Por një Gjykatë e Lartë nuk ekziston për të ruajtur përgjithmonë jurisprudencën e vet. Ekziston edhe për ta korrigjuar atë kur zhvillimi i standardeve kushtetuese dhe europiane e kërkon.

Dhe në fund të mandatit erdhi përballja për pagat e magjistratëve.

Mund të ishte paraqitur lehtësisht si një konflikt për interesin financiar të gjyqtarëve. Sadushi zgjodhi ta vendoste në një plan tjetër: ndarja e pushteteve, siguria juridike dhe detyrueshmëria e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Kur ekzekutivi propozoi dialog ndërkohë që çështja juridike ishte shtruar përpara Gjykatës Kushtetuese, qëndrimi i tij ishte i prerë: dialogu institucional është i nevojshëm për funksionimin e drejtësisë, por nuk mund të negociohet në një tryezë ajo për të cilën duhet të vendosë Gjykata Kushtetuese.

Këto raste nuk janë identike dhe as Sadushi nuk duhet shpallur automatikisht “me të drejtë” në secilin prej tyre. Disa prej qëndrimeve të tij mund dhe duhet të debatohen juridikisht. Mund të diskutohet toni, mënyra, interpretimi ose momenti i ndërhyrjes.

Por ka një fakt që vështirë të mohohet: ai nuk e ndërtoi mandatin mbi shmangien e konfliktit.

Herë u përball me politikën. Herë me ekzekutivin. Herë me institucione të tjera të drejtësisë. Herë me struktura shtetërore. Herë me vetë praktika të konsoliduara të gjyqësorit.

Dhe kjo është ndoshta arsyeja pse mandati i tij nuk mund të lexohet vetëm përmes statistikave.

Nga rindërtimi i brendshëm te prania ndërkombëtare

Por ka edhe një dimension tjetër të mandatit që nuk mund të matet as me numrin e dosjeve dhe as me përplasjet institucionale: pozicionimi ndërkombëtar i Gjykatës së Lartë.

Kur një gjykatë është e zhytur në një krizë funksionimi, me trupë pothuajse të shpërbërë dhe dhjetëra mijëra çështje në pritje, rreziku nuk është vetëm paraliza e brendshme. Është edhe humbja e zërit të saj në komunitetin juridik ndërkombëtar.

Gjatë këtyre viteve, Gjykata e Lartë jo vetëm riktheu funksionalitetin e saj, por e rriti ndjeshëm praninë në forumet ku zhvillohet sot dialogu ndërmjet gjykatave më të larta europiane.

Disa prej këtyre lidhjeve institucionale ekzistonin më parë. Por gjatë mandatit të Sadushit ato morën një intensitet tjetër, ndërsa u krijuan edhe lidhje të reja.

Gjykata e Lartë mori pjesë rregullisht, me status vëzhguesi, në Rrjetin e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Bashkimit Europian, duke u ulur në të njëjtat tryeza profesionale me drejtuesit e gjykatave supreme të shteteve anëtare të BE-së. Në vitin 2022 ajo u pranua në ACA-Europe, Shoqatën e Këshillave të Shtetit dhe Juridiksioneve të Larta Administrative të Bashkimit Europian, duke e futur edhe juridiksionin më të lartë administrativ shqiptar në një hapësirë të përhershme dialogu me homologët europianë. (Gjykata e Artit)

U intensifikua gjithashtu pjesëmarrja në Rrjetin e Gjykatave të Larta të krijuar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe në rrjetin e gjykatave supreme të hapësirës frankofone. Delegacionet dhe drejtuesit e Gjykatës së Lartë u bënë pjesë e konferencave, asambleve dhe dialogut gjyqësor ku diskutohen çështje që nga pavarësia e gjyqësorit dhe shteti i së drejtës deri te të drejtat themelore, teknologjia dhe raporti ndërmjet gjykatave kombëtare e atyre europiane. (Gjykata e Artit)

Kjo nuk është thjesht diplomaci gjyqësore.

Për një vend kandidat për në Bashkimin Europian, të jesh ende jashtë BE-së politikisht, por të ulesh profesionalisht në të njëjtën tryezë me gjykatat e larta të vendeve anëtare, ka një kuptim që shkon përtej protokollit. Është mënyrë për të sjellë standardin europian brenda jurisprudencës kombëtare dhe, njëkohësisht, për ta bërë jurisprudencën shqiptare pjesë të dialogut europian.

Në vitin 2026 Sadushi vazhdonte ta përfaqësonte Gjykatën e Lartë në Konferencën e Presidentëve të Gjykatave të Larta të Bashkimit Europian, ku drejtuesit e gjykatave supreme diskutonin së bashku sfidat e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave në epokën digjitale. (Gjykata e Artit)

Në të njëjtën periudhë, marrëdhëniet dypalëshe me gjykata të larta europiane u zgjeruan, ndërsa 110-vjetori i Gjykatës së Lartë u shndërrua në një konferencë ndërkombëtare me pjesëmarrjen e gjyqtarëve nga gjykata supreme europiane, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe institucione të tjera gjyqësore. (Gjykata e Artit)

Kulmi simbolik i këtij procesi është ndoshta përzgjedhja e Shqipërisë për të organizuar World Law Congress 2027.

Edhe këtu do të ishte e pasaktë që merita t’i atribuohej një institucioni apo një individi të vetëm. Përzgjedhja lidhet me perceptimin më të gjerë ndërkombëtar të zhvillimeve të shtetit të së drejtës dhe me punën e disa institucioneve shqiptare, përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe institucione të tjera të drejtësisë.

Por fakti mbetet domethënës: në mandatin e Sadushit, Gjykata e Lartë u bë një nga institucionet bashkëorganizuese të World Law Congress 2027 dhe Shqipëria u përzgjodh ndër vendet kandidate për ta pritur atë. Vetë organizatorët ndërkombëtarë e lidhën përzgjedhjen edhe me profesionalizmin dhe angazhimin e treguar nga pala shqiptare. (Gjykata e Artit)

Në shtator 2026, Sadushi dhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, u pritën në Romë nga Presidenti italian Sergio Mattarella në kuadër të përgatitjeve për Kongresin, ndërsa Gjykata e Lartë vijoi rolin e saj si bashkëorganizuese e aktivitetit që do të sjellë në Tiranë drejtues shtetesh, gjyqtarë dhe juristë nga vende të ndryshme të botës. (Gjykata e Artit)

Ka një kontrast që ndoshta e përmbledh më mirë këtë dimension të mandatit.

Në vitin 2020, sfida e Gjykatës së Lartë ishte të bëhej përsëri një gjykatë funksionale në vendin e vet. Në fund të vitit 2026, ajo është një gjykatë që merr pjesë në të njëjtat forume me gjykatat supreme europiane dhe bashkëorganizon një nga ngjarjet më të mëdha të komunitetit juridik ndërkombëtar.

Edhe kjo është pjesë e përgjigjes për pyetjen: çfarë gjykate mori dhe çfarë gjykate lë pas?

Një kryetar i fortë – edhe kjo kërkon kritikë

Një portret objektiv nuk mund të ndalet vetëm këtu.

Sadushi ka një personalitet institucional të fortë. Për disa, kjo ka qenë e nevojshme në një Gjykatë që duhej rindërtuar pothuajse nga zero. Për të tjerë, prania e tij publike ka qenë herë pas here tepër dominante.

Kjo është një kritikë që meriton të merret seriozisht.

Një institucion i fortë nuk duhet të varet nga një personalitet i fortë. Përkundrazi, prova përfundimtare e një drejtuesi është nëse mekanizmat që ndërtoi funksionojnë edhe pasi ai largohet.

Edhe rezultatet e Gjykatës së Lartë nuk janë rezultat i një njeriu. Pas 6.876 vendimeve të një viti, pas reduktimit të stokut, pas vendimeve njësuese dhe çdo dosjeje të përfunduar janë gjyqtarët, këshilltarët ligjorë, administrata dhe puna kolektive e institucionit.

Merita e një kryetari nuk është t’ia atribuojë vetes këtë punë. Është të krijojë kushtet që kjo punë të prodhojë rezultat.

Kjo është edhe mënyra më e drejtë për të gjykuar mandatin e Sadushit.

Ai mori një Gjykatë pothuajse jofunksionale, me një gjyqtar dhe rreth 35 mijë dosje të prapambetura. Lë një Gjykatë funksionale, me trupë të plotësuar, me një stok të reduktuar me rreth 65 për qind, me jurisprudencë njësuese shumë më aktive, me mekanizma të rinj të komunikimit të jurisprudencës dhe me një prani ndërkombëtare dukshëm më të konsoliduar.

Por lë ende mijëra dosje. Lë sfidën e cilësisë përballë presionit të shifrave. Lë nevojën që Gjykata e Lartë të konsolidohet përfundimisht si gjykatë precedenti dhe jo si shkallë e tretë e zakonshme. Dhe, mbi të gjitha, lë pyetjen nëse ajo që është ndërtuar në këto vite do të funksionojë po aq mirë edhe pa të.

Ky do të jetë testi real i mandatit të tij.

Vetëm këtu, në fund të këtij bilanci, merr kuptim edhe ajo që ka qenë Sokol Sadushi përpara se të bëhej Kryetar i Gjykatës së Lartë.

Ai nuk erdhi në këtë detyrë si një gjyqtar pa histori. Kishte pas vetes një karrierë që përfshinte Gjykatën Kushtetuese, Shkollën e Magjistraturës, universitetin, doktrinën juridike dhe një rol të rëndësishëm në hartimin e ndryshimeve kushtetuese të Reformës në Drejtësi. Në moshën 35-vjeçare ishte zgjedhur gjyqtar kushtetues dhe gjatë mandatit të tij kishte qenë relator edhe në vendimin historik që hapi rrugën për heqjen e dënimit me vdekje në Shqipëri.

Këto duhen përmendur, por nuk janë objekti i këtij bilanci.

Sepse më 17 tetor nuk përfundon karriera e Sokol Sadushit. Përfundon mandati i tij si Kryetar i Gjykatës së Lartë. Dhe pikërisht atë mandat duhet të gjykojmë.

Ai nuk lë pas një Gjykatë pa probleme. Por as nuk lë Gjykatën që gjeti.

E gjeti në kufijtë e mosfunksionimit dhe nën peshën e rreth 35 mijë dosjeve. E lë funksionale, me pjesën më të madhe të stokut historik të reduktuar, me një identitet institucional më të qartë dhe me një prani europiane e ndërkombëtare shumë më aktive.

Gjatë rrugës ka marrë vendime që janë mbështetur dhe vendime që janë kundërshtuar. Ka krijuar konsensus dhe ka prodhuar përplasje. Ka qenë objekt vlerësimesh, por edhe sulmesh të ashpra.

Por ndoshta pyetja më e rëndësishme për një drejtues nuk është nëse arriti të shmangë përplasjet.

Është nëse, kur erdhi momenti i tyre, zgjodhi atë që mendonte se i kërkonte institucioni apo atë që ishte më e rehatshme për veten.

Më 17 tetor mbaron mandati i një kryetari. Vlera e tij do të matet jo vetëm me atë që ndodhi gjatë këtyre viteve, por me atë që do të mbetet pas tyre.

Nëse Gjykata e Lartë do të vazhdojë të ulë backlog-un pa sakrifikuar cilësinë, të zhvillojë jurisprudencën pa u mbyllur në formalizëm, të mbrojë pavarësinë pa e kthyer atë në privilegj, të ushtrojë kompetencat e saj edhe kur kjo nuk është rruga më e lehtë dhe të mbetet pjesë aktive e dialogut gjyqësor europian, atëherë trashëgimia e kësaj periudhe nuk do të jetë vetëm një statistikë.

Do të jetë transformimi i një institucioni.

Dhe ky është ndoshta standardi më i drejtë me të cilin duhet gjykuar Sokol Sadushi si Kryetar i Gjykatës së Larte.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?