Carlos Forbs, futbollisti “me bateri” që befasoi Interin dhe ëndrron Premier League-n

Carlos Forbs ishte vetëm gjashtë vjeç kur nisi të luante futsal me skuadrën Nucleo de Sintra, në qytetin portugez ku kishte lindur. Talenti i tij binte aq shumë në sy, saqë shpesh aktivizohej me lojtarë më të mëdhenj në moshë. Shokët e përshkruanin si një futbollist me bateri të vendosur në shpinë, që nuk ndalej kurrë dhe lëvizte me një shpejtësi të jashtëzakonshme.

Të njëjtat cilësi i shfaqi edhe në mbrëmjen magjike të Club Brugge në “San Siro”, ku ishte ndër lojtarët që i shkaktuan probleme Interit. Për shumë tifozë, kjo ishte hera e parë që dëgjonin për të, por ata që e ndjekin prej kohësh e kujtojnë për paraqitjen e shkëlqyer ndaj Barcelonës, rreth një vit më parë. Në atë ndeshje të Champions League, skuadra belge fitoi 2-1, me Forbsin protagonist me një gol dhe një asist. Mediat katalanase e përshkruan si një “makth”, përshtypje që e la sërish edhe te Interi.

I lindur më 19 prill 2004 në Sintra, pranë Lisbonës, Forbs kaloi fillimisht te NADCC Sintra, përpara se, në moshën dhjetëvjeçare, të bashkohej me akademinë e Manchester City-t. Ai përshkoi të gjitha kategoritë e moshave dhe u aktivizua me sukses edhe në UEFA Youth League.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në verën e vitit 2023, Manchester City e shiti te Ajax për rreth 14 milionë euro. Megjithatë, aventura në Holandë nuk shkoi sipas pritshmërive. Pas një sezoni, klubi e huazoi te Ëolverhampton, por as aty portugezi nuk arriti të bindte plotësisht. Në verën e vitit 2025, Ajax vendosi ta shiste te Club Brugge për rreth 6 milionë euro.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në Belgjikë, Forbs duket se ka gjetur ambientin e duhur për të shpalosur potencialin e tij. Me Club Brugge ka fituar kampionatin belg, ndërsa më 16 nëntor 2025 debutoi edhe me kombëtaren e Portugalisë, në fitoren 9-1 ndaj Armenisë.

Me origjinë familjare nga Guinea-Bissau dhe me pasaportë të dyfishtë, Forbs nuk dallohet për shtatlartësi, pasi nuk arrin 1.70 metra. Megjithatë, shpejtësia shpërthyese, energjia e pashtershme gjatë 90 minutave dhe cilësitë teknike e bëjnë një lojtar me potencial të madh.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

PS a duhet të kandidojë në Bashkinë e Tiranës nga politika apo shoqeria civile?