1.3 miliardë euro abuzime në vitin 2019. Korrupsioni tejkalon shifrën e donacioneve për tërmetin

Shqipëria mori 1.15 miliardë euro donacione, shumica e të cilave kredi, në konferencën e donatorëve në Bruksel. Kjo shifër u quajt një fitore e madhe e qeverisë “Rama” dhe shenjë e besueshmërisë që ndërkombëtarët kanë të reformat. Rreth 800 milionë euro janë kredi të bankave ndërkombëtare të cilat do të paguhen bashkë me interesat nga taksat e qytetarëve.
Por nëse shuma 1.15 miliardë duket befasuese, të dhënat e institucioneve shqiptarë për korrupsionin japin shifra edhe më alarmuese. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2019 thotë se korrupsioni, abuzimet i kanë sjellë buxhetit të shtetit një dëm prej 1.3 miliardë eurosh. E thënë thjesht, administrata dhe qeveria “Rama” kanë vjedhur në një vit më shumë para sesa kanë “fituar” nga donacionet ndërkombëtare.
Raporti i KLSH është prova më e qartë se korrupsioni jo vetëm nuk është ulur edhe pas reformës në drejtësi, por ka njohur ritme të frikshme. Vjedhja dhe shpërdorimi i administratës, i bënë të pavlefshme donacionet.
Përfaqësuesi i PD-së, Dorjan Teliti u shpreh sot në një deklaratë për mediat se “vetëm gjatë 2019, plot 1.3 miliardë euro është fatura e korrupsionit, vjedhjes, paaftësisë, abuzimit dhe shpërdorimit me fondet dhe pronën publike nga qeveria dhe emisarët e saj në çdo qelizë të administratës publike, të cilët po zhvasin para largimit me turp nga qeveria, gjithçka po u del përpara”.
Korrupsioni i qeverisë “Rama” në një vit i ka kushtuar çdo familje shqiptare mbi 1900 euro/vit ose 160 euro/muaj.

SHKARKO APP