132 ditë protestë, Meçan Zotaj: Zhduku 15 bashki që t’ua bëjë të pamundur jetën qytetarëve
Aktivisti Meçan Zotaj ka ngritur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë protestës së 132, duke e cilësuar atë si antishqiptar. Zotaj kritikoi vendimin për shuarjen e 15 bashkive, për të cilin pretendoi se ka vështirësuar jetën e qytetarëve.
Duke iu referuar protestës që vijon prej 132 ditësh, aktivisti deklaroi se pavarësisht përpjekjeve që ai u atribuoi kryeministrit dhe deputetëve për ta dobësuar atë, qytetarët vijojnë të qëndrojnë në protestë për të shprehur kundërshtimin e tyre.
Zotaj u ndal edhe te çështja e pronës dhe e interesit kombëtar, duke akuzuar ata që i konsideron përgjegjës për tjetërsimin e trojeve shqiptare. Ai u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen dhe të reagojnë për mbrojtjen e vendit.
”Edi Rama është një antishqiptar. Ky shuajti 15 bashki që t’ua bëjë të pamundur jetën qytetarëve”, u shpreh Zotaj. Në përfundim të fjalës së tij, aktivisti apeloi për bashkim dhe angazhim qytetar, duke theksuar se Shqipëria duhet mbrojtur nga ata që e shohin atdheun si burim përfitimi dhe jo si një pasuri që duhet ruajtur.

