Si do të pastrohet Tirana
Entela Resuli/Në katin e shtatë të një pallati, në hyrjen e Eco Tiranës, dhjetëra të rinj presin te dera të regjistrohen për punë në këtë kompani të re, e cila ka marrë përsipër pastrimin e kryeqytetit. Një nga administratorët e kësaj kompanie, Diego Testi na pret në zyrë për të na treguar më shumë mbi mënyrën se si do të pastrohet ky qytet i cili vitet e fundit nuk ka gjetur rehat me plehrat. I lindur në Verona të Italisë dhe i diplomuar për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Diego ka 18 vite që merret më këtë punë. Shqipëria nuk i duket ndryshe nga vendet e tjera për të, madje sipas tij, natyra nuk krijon plehra, janë njerëzit ata që kontribuojnë në këtë drejtim, dhe duhet të jenë po njerëzit që të kujdesen për një ambient të pastër, siç edhe çdo kush e meriton. “Ne kemi ardhur këtu, thotë ai, për të punuar, e për ta bërë këtë qytet më të pastër”. Puna ka filluar. 30 të rinj po shpërndajnë në familjet shqiptare fletushka me informacion se si do të bëhet ndarja e mbeturinave në shtëpitë e tyre dhe se si do të jenë kushtet ku do të hidhen mbtjet. Nga ana tjetër, nxënësit e shkollave janë ata të cilët po e marrin informacionin e parë mbi këtë mënyrë të re të hedhjes së plehrave. Në disa shkolla të Tiranës janë zhvilluar orë edukative për këtë çështje.
Por çfarë do të ndodhë? Si do e pastrojë Eco Tirana, kryeqytetin dhe cili është informacioni që qytetarët duhet të dinë për ndarjen e plehrave që në shtëpinë e tyre. Ky rrëfim i Diego Testit ju ndihmon për të kuptuar me shumë.
-Kur ka qenë hera juaj e parë në Shqipëri dhe çfarë keni konstatuar për sa i përket pastërtisë së ambientit?
Ne kemi ardhur në Shqipëri, si grup italian, Amia, katër vite më parë, pasi ishte një garë ndërkombëtare për pastrimin e qytetit. Më pas gjërat nuk shkuan ashtu siç duhet dhe një vit më parë, ne u rikthyem përsëri, ku me kryetarin e ri të bashkisë, ramë dakord, nëpërmjet një marrëveshje midis qytetit të Veronës dhe Tiranës për pastrimin me anë të makinerive që punojnë atje.
-Në sytë tuaj, është Tirana një qytet i vështirë për t’u pastruar?
Çdo qytet ka vështirësitë e veta. Tirana është një qytet i madh me lagje të ndryshme. Është një qytet shumë i pastruar në qendër, ndërsa në brendësi të lagjeve ka probleme në këtë drejtim. Në Tiranë duhet pastruar njëlloj, ashtu siç ndodh përballë Parlamentit, Kryeministrisë, rrugicave ku banojnë ambasadorët, ashtu edhe në lagjet ku jetojnë qytetarët, të cilët nuk kanë fatin ta kenë shtëpinë në qendër.
-Keni vënë re ju një mungesë kulture, në mënyrën se si i trajtojmë plehrat?
Jo, mund të them që Tirana është një qytet relativisht i pastër, krahasuar me disa të tillë që kemi vizituar për shkak të aktivitetit tonë si kompani. Por këtu mungon diçka e rëndësishme. Këtu mungon mekanizmi i duhur për mbledhjen e tyre. Këtu nuk ka një ndarje, ndaj për këtë arsye ka patur probleme deri më tani.
-Çfarë do të sillni ju të re, si do e pastroni qytetin?
Do të sjellim një sistem të qëndrueshëm në ambient, në mënyrën se si do të organizohen plehrat. Duhet të kuptojmë diçka, në natyrë nuk ekzistojnë plehrat, është raca njerëzore ajo që ndot ambientin. Detyra jonë është të krijojmë një sistem për diferencimin e plehrave. Kështu, Eco Tirana do të vendosë në dispozicion të qytetarëve dy kosha, njëri i gjelbër i cili do të shërbejë për hedhjen e materialëve prej letre dhe tjetri gri, për materiale të forta.
Deri më tani, 30 të rinj janë shpërndarë në lagjet e Tiranës të cilët u shpjegojnë qytetarëve se si do të funksionojë seleksionimi dhe hedhja e plehrave.
Eco Tirana nuk është një shoqëri e huaj, është një shoqëri shqiptare e cila do të japë kontributin për të patur një qytet më të pastër. Do të vijnë makineri të reja, kazanë të rinj, mjetet e dorës që do të përdorin punëtorët e pastrimit do të vijnë nga jashtë dhe do të jenë të standardeve të larta duke garantuar pastrim të shpejtë, por edhe higjenik, për ata që punojnë me to, por edhe për qytetarët që përdorin rrugën.
I kërkojmë dy gjëra qytetarëve të Tiranës: një angazhim personal për të ndjekur rregullat që ne japim dhe pak durim, pasi në muajt e parë duhet të mësohen t’i sistemojnë ndryshe gjërat. Seleksionimi i plehrave duhet të bëhet në shtëpi. Banorët do i ndajnë në qese të ndryshme.
-Shërbimi juaj do të përfshijë gjithë Tiranën?
Nga Sheshi Shqiponja, drejt Zogut të Zi, i gjithë qarkullimi i brendshëm, deri te Sheshi Nën Tereza.
Zona ku do të punohet fillimisht njihet si “zona e kuqe”, që është pjesa e Qendrës dhe Tiranës së Re. Në “zonën e kuqe” parashikohet t’u shërbehet rreth 200 mijë rezidentëve. Sasia e mbetjeve në këtë zonë është sa 20 për qind e totalit të Tiranës, rreth 40.000 tonë, ndërkohë që në gjithë bashkinë mbetjet janë afro 200.000 tonë.
Po lagjet e tjera?
Duhet si fillim të bëjmë mirë punën në këtë zonë. Duhet që edhe punonjësit të përshtaten me makineritë e reja që vijnë, po ashtu edhe njerëzit,duhet të mësohen me këtë metodë të re dhe më pas do të jetë kryetari i bashkisë që do të vendosë nëse do të duhet ta zgjerojmë pjesën tjetër të qytetit.
-Çfarë do të ndodhë me ata punonjës që deri më tani kanë punuar me pastrimin e qytetit?
Do të s’postohen në lagje të tjera të qytetit. Ne kemi bërë konkurse për shofer apo punonjës të tjerë. Ata kanë aplikuar dhe mund të aplikojnë të punojnë me ne.
Domethënë, ne nuk do të shohim më njerëz të cilët kontrollojnë në koshat e plehrave për t’i marrë dhe shitur ato që u duhen?
Mendoj se këtyre njerëzve po u bëjmë një të mirë të madhe, pasi pamja e fëmijëve që gërmojnë në këto kosha është e trishtë. Ata duhet të shkojnë në shkollë. Kemi krijuar mundësi që prindërit e tyre të punojnë me ne, ndërsa ata duhet të studiojnë.
-Që nga koha kur ju keni firmosur kontratën me Bashkinë e Tiranës për pastrimin e qytetit, ka patur edhe zëra kundra jush. Si i gjykoni ato?
Mendoj se duhet të na lënë të punojmë e të shohim punën tonë. Nuk ia lejoj vetes të gjykoj asnjë eksponent politik që bën deklarata të tilla. Kërkoj që vetëm të na vënë në provë, ku së bashku me angazhimin e qytetarëve të Tiranës, të arrijmë qëllimin tonë.
-Keni një shifër se sa njerëz do të punësohen në këtë kompani?
Ne do të kemi deri në fund të vitit 200 persona, si në pjesën e administratës, ashtu edhe atë operuese. Të gjithë do të kenë mjetet mbrojtëse në punë, që nga uniforma e deri të maska mbrojtëse.
Këshilla
-Për hedhjen e mbeturinave janë vendosur dy kontenierë me kapakë me dy ngjyra të ndryshme: ngjyra e gjelbër tregon se aty duhet të hidhen mbeturinat e riciklueshme (letër, karton, bidona dhe shishe plastike, najloni, qumështi dhe kanaçe). Ngjyra gri tregon se aty duhet të hidhen të gjitha llojet e tjera të mbeturinave.
-Mbeturinat të cilat zënë një vend më të madh (kutit e kartonit dhe plastiket duhet të shtypen para se të hidhen në kontenier;
-Nuk duhet të hidhen thëngjill të ndezur dhe hi. Duhet të prisni që ato të jenë fikur dhe të jenë ftohur për të shmangur zjarrin:
-Kapaku i kontenierit nuk duhet të hapet, për të hedhur mbeturinat do të përdoren dritaret;
-Hidhni mbeturinat e përziera brenda një qeseje të mbyllur për një higjienë më të mirë;
-Mbeturinat nuk duhet të lihen jashtë kontenierëve; në rastet kur kontenierët janë të mbushur plot, shkoni te kontenieri më i afërt;
-Brenda pak javësh do të jetë aktiv shërbimi falas, i cili përmes prenotimit do të mundësojë mbledhjen e mbeturinave voluminoze, si dhe do të përdoret një sistem i veçantë për të grumbullimin e baterive dhe të ilaçeve.

