A duhet Berisha t’i kërkojë falje Lulzim Bashës, pas skandalit “McGonigal-FBI”?

Nga Lindita Kokoli-

Skandali i korruptimit të ish-zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal, nga pala shqiptare, por që FBI po e heton edhe për favorizim të mikut të Presidentit Putin në biznese etj., ka krijuar një përceptim tjetër në Tiranë për Lulzim Bashën.

Deri dje Lulzim Basha akuzohej se kishte marrë fonde nga një oligark rus, por në dritën e skandalit të ri të ish-zyrtarit të FBI, del se gjithçka ishte kurdisur nga qeveria shqiptare për të shkatërruar PD-në e zotit Basha.

Ja se çfarë shkruan ndër të tjera “Zëri i Amerikës” për makinacionet e qeverisë shqiptare për të akuzuar PD si parti me ndikim e financim rus: “Menjëherë pas kthimit nga Shqipëria, më 25 nëntor, McGonigal informon Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë, me të cilin takoi politikanin-biznesmen në Austri, për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm “për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama”. Sipas akt-padisë, një ditë më herët McGonigal kishte marrë informacion për këtë lobist nga Personi B.

Në akt-padi nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare. Por më 14 nëntor të vitit 2017, lobisti Nick Muzin, depozitoi në Departamentin e Drejtësisë, ndonëse me vonesë, dokumentet mbi aktivitetin lobues të disa muajve më parë për llogari të PD-së, i cili më pas është bërë subjekt hetimi në Shqipëri për origjinën e parave.

Në akt-padinë ndaj McGonigal, përmendet se në dhjetor të vitit 2017 ai është takuar në Uashington me personin A dhe zyrtarë të qeverisë shqiptare dhe në Nju Jork me Personin A dhe kryeministrin Rama.

Më 4 janar 2018, sipas akt-akuzës, McGonigal mori informacion për lobistin amerikan nga Personi A dhe të nesërmen ia dërgoi informacionin një agjenti tjetër të zyrës së FBI-së në Nju Jork.

Më 22 janar ai mori përsëri informacion nga Personi A për lobistin dhe ia dërgoi një vartësi. Personi A, sipas akuzës e kishte marrë informacionin nga zyra e Kryeministrit të Shqipërisë”-shkruan “Zëri i Amerikës”.

Ndërkohë Sali Berisha ka akuzuar direkt Lulzim Bashën para këtij skandali se ka marrë financime ruse! Me datë  3 tetor 2022 Berisha deklaronte se “I vetmi koment për Lulzim Bashën është të bëjë transparent problemin e fondeve ruse. Kjo është shumë serioze.

Nuk kam komunikuar por komisioni i krijuar për këtë qëllim do ti japë të drejtën të shpjegojë aktakuzën e rëndë personale që është e faktuar se nuk ka pasur lidhje me asnjë institucion të PD.

Nga arka nuk ka hyrë e as ka dalë asnjë qindarkë. Unë mendoj se është e domosdoshme që ai të sqarojë këtë akuzë. Tani nuk janë gazetarët e Mother Jones, por shërbimet inteligjente.

Me Bashën kam vetëm këtë problem, për sa kohë ai është anëtar i PD-së dhe deputeti i grupit të PD-së ai duhet të bëjë këtë transparencë dhe ky është një kusht shumë i rëndësishëm”, ka thënë Berisha.

Por tani që del hapur se gjithçka ishte një intrigë kundër Bashës dhe PD, a duhet që Berisha t’i kërkojë falje Lulzim Bashës?

Të paktën për gjoja “fonde ruse për PD-në”. 

SHKARKO APP