A u dekonspiruan operacionet për kapjen e Klement Balilit? SHKB nis hetimet
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka nisur një hetim për dekonspirimin e të paktën 3 operacioneve për kapjen e 44-vjeçarit, Klement Balili i etiketuari si “Eskobari i Ballkanit”. Dyshohet se ai mund të ketë marrë informacion nga policia lokale, por verifikimeve nuk do t’i shpëtojnë as forcat operacionale. Kjo pas disa tentativave të dështuara për ta kapur në bizneset dhe shtëpinë e Balilit në Stjar të Delvinës.
Për arrestimin e të shumëkërkuarit policia organizoi dhe një operacion sekret mbrëmjen e djeshme në Durrës, pas informacioneve se ai fshihet në qytetin bregdetar.
Gjithashtu, burime kofidenciale për Vizion Plus, pohojnë se një nga kërkesat që dyshohet se kanë bërë familjarët e Balilit ne këmbim të vetëdorëzimit, lidhet me mosekstradimin e tij jashtë kufijve të Shqipërisë.
Pavarësisht, se vendi ynë nuk ka marrëveshje ekstradimi me Greqinë, Balili i trembet një gjykimi në vendin fqinj, prandaj po negocion edhe për tu vetëdorëzuar. Për ish-Drejtorin e Transporteve te Sarandës ka një urdhër ndërkombëtar arresti të lëshuar nga autoritetet greke. Ai akuzohet si kreu i njërit prej grupeve më të organizuara të drogës me aktivitet në disa vende të Evropës Perëndimore. Pak ditë më parë nga Greqia mbërriti dosja e plotë për Balilin, ku ndër të tjera kërkohet edhe verifikimi i pasurisë në bazë të ligjit antimafia.

